LSDM kritikon politikat ekonomike dhe reformuese të pushtetit, VMRO-DPMNE thotë se po jep rezultate investime dhe zhvillim

Nga D. V.
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Gjendja ekonomike dhe politikat zhvillimore sërish janë temë e përplasjes politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, pasi të dyja partitë dolën me vlerësime të kundërta për punën e Qeverisë dhe gjendjen në vend.

Nga LSDM kritikojnë politikën ekonomike të pushtetit, duke vlerësuar se qytetarët përballen me një realitet ekonomik më të vështirë dhe se paralajmërimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për një “maratonë” janë mesazh për një periudhë të gjatë varfërie.

“Me fjalë të tjera, u tha qartë se duhet të përgatiten të jetojnë të varfër për një kohë të gjatë”, thonë nga LSDM.

Partia opozitare thekson se deri në qershor është shpenzuar pothuajse i gjithë deficiti buxhetor i planifikuar për vitin 2026, i cili arrin në 670 milionë euro, dhe vlerëson se ribalanci do të jetë i pashmangshëm.

Nga LSDM pretendojnë se buxheti është miratuar me, siç thonë, norma joreale të rritjes, ndërsa tek investimet kapitale bëhet fjalë kryesisht për pagesën e detyrimeve të vjetra, e jo për projekte të reja. Ata shtojnë se modeli ekonomik ende bazohet në konsum, në vend të eksportit dhe investimeve produktive, duke kritikuar edhe afrimin e ngadaltë drejt Bashkimit Evropian.

“Qytetarët nuk meritojnë maratonë në varfëri. Meritojnë reforma reale, investime të vërteta dhe një të ardhme evropiane”, thonë nga LSDM.

Në këto kritika u përgjigj VMRO-DPMNE, nga ku thonë se rezultatet e punës së Qeverisë janë të dukshme dhe se vendi po ecën përpara.

Nga partia në pushtet vlerësojnë se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar projekte, investime dhe masa të orientuara drejt zhvillimit dhe përmirësimit të standardit të jetesës.

“Dallimi është i dukshëm dhe rezultatet të qarta, Maqedonia po përshpejton, Qeveria e VMRO-DPMNE-së dorëzon rezultate, projekte, investime dhe zhvillim”, thonë nga partia.

VMRO-DPMNE thekson investime rekord historike prej 1,255 miliardë euro dhe ciklin më të fuqishëm investues në historinë e re.

Partia informon gjithashtu se Qeveria po punon për realizimin e gjashtë segmenteve të reja të autostradave, ndërsa në dekadën e ardhshme janë parashikuar 10 miliardë euro investime kapitale në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

Në reagim përmenden edhe masat për të rinjtë, mes të cilave kuponë për pajisje elektronike, mbështetje për nisjen e biznesit të vet, masa për fermerët e rinj dhe zgjerimi i përfshirjes së ushqimit të subvencionuar për studentët.

Nga VMRO-DPMNE shtojnë se në periudhën e kaluar janë rritur pagat dhe pensionet, ndërsa ekonomia ka shënuar rritje.

“VMRO-DPMNE dëshmoi se di si të punojë për shtetin dhe qytetarët. Dëshmoi se interesat kombëtare nuk kanë çmim dhe se Maqedonia mund të ketë pushtet që nuk kapitullon kur në pyetje janë dinjiteti, identiteti dhe interesat e popullit”, thonë nga partia.

Dy partitë më të mëdha politike mbeten me qëndrime të kundërta për gjendjen ekonomike dhe efektet e politikave qeveritare, ku LSDM paralajmëron për rreziqe, ndërsa VMRO-DPMNE insiston se vendi është në periudhë zhvillimi dhe përshpejtimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër