Luksemburgu mbështeti Kosovën me 50 milionë euro, Kurti i shpreh mirënjohje kryeministrit Frieden

Nga D. V.
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), zhvilloi një takim bilateral me kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.

Gjatë takimit, kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e çmuar në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit. Në këtë drejtim, ai falënderoi veçanërisht për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurosh, i cili dëshmon përkushtimin e Luksemburgut ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian.

Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ai falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër