Mariçiq: Gjithçka është gati për zgjedhjet në Bërvenicë, është zgjidhur problemi me pajisjet për identifikimin e votuesve

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – Të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, që do të mbahen nesër, kanë përfunduar, ndërsa është zgjidhur edhe problemi me pajisjet për identifikimin biometrik të votuesve. Në funksion janë 24 pajisje për identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtërinjve, ndërsa janë siguruar edhe pajisje rezervë, deklaroi kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, në emisionin “Tema e ditës” në televizionin Sitel.

Mariçiq konfirmoi se KSHZ-ja ishte përballur me probleme në funksionimin e sistemit të identifikimit biometrik, pas skadimit të kontratës për mirëmbajtjen e tij. Megjithatë, sipas tij, me kohë janë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Pas përgatitjeve paraprake dhe marrjes së miratimit nga Byroja për Prokurime Publike, KSHZ-ja ka realizuar procedurën përmes së cilës është siguruar funksionimi i pajisjeve që do të përdoren gjatë votimit të nesërm.

“Gjithçka është gati për votimin e nesërm në Bërvenicë. Kemi 24 pajisje funksionale për zhvillimin e plotë të zgjedhjeve, por kemi edhe pajisje rezervë”, theksoi Mariçiq.

Ai nënvizoi se zgjidhja është siguruar në përputhje me procedurat ligjore, duke shmangur rrezikun e problemeve teknike gjatë identifikimit biometrik të votuesve.

Mariçiq paralajmëroi se në periudhën e ardhshme pritet të zhvillohet një procedurë e re e prokurimit publik për sigurimin e mbështetjes softuerike për rreth 4.000 pajisjet e tjera për identifikimin përmes gjurmëve të gishtërinjve, të cilat përdoren në zgjedhjet në Maqedoni.

Sipas tij, synimi është që sistemi të jetë plotësisht funksional dhe i gatshëm për çdo proces të ardhshëm zgjedhor, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet.

Kryetari i KSHZ-së theksoi edhe rëndësinë e identifikimit biometrik për rritjen e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Sipas tij, pajisjet për gjurmët e gishtërinjve, gjatë pesë viteve të fundit, kanë ndihmuar në parandalimin e keqpërdorimeve zgjedhore dhe kanë rritur sigurinë në identifikimin e votuesve.

Mariçiq theksoi se Maqedonia ishte ndër vendet e para në rajon që e futi këtë teknologji në procesin e votimit, ndërsa tashmë edhe shtetet e tjera kanë filluar gradualisht të zbatojnë zgjidhje të ngjashme teknologjike.

“Gjatë viteve të fundit kemi pasur mbështetje të madhe nga qytetarët, sepse me këto pajisje për gjurmët e gishtërinjve zhvillohen zgjedhje në të cilat falsifikimi është i pamundur”, deklaroi Mariçiq, duke vlerësuar se kjo teknologji ka kontribuar ndjeshëm në forcimin e besimit në procesin zgjedhor.

Ai theksoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për organizimin profesional dhe ligjor të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen nesër, më 18 tetor, pas vdekjes së kryetarit të deritanishëm të komunës, Jovica Ilievski, në qershor të këtij viti.

Në Listën Zgjedhore janë regjistruar 16.256 votues, ndërsa votimi do të zhvillohet në 24 vendvotime, nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Për postin e kryetarit të komunës garojnë gjashtë kandidatë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër