Tetovë, 17 tetor Zhurnal.mk – Zyra rajonale e Avokatit të Popullit në Tetovë nesër, në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Qytetarët do të mund të denoncojnë çdo shkelje të së drejtës së tyre të votës.
Denoncimet mund të paraqiten personalisht në zyrë ose përmes numrit të telefonit 044 344-082.
“Avokati i Popullit do t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor, si dhe nga institucionet e tjera që janë të obliguara të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre të garantuara”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Nga Avokati i Popullit rikujtojnë se e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë si e drejtë e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë, e cila realizohet përmes zgjedhjeve të lira dhe votimit të fshehtë.
“Askush nuk mund të thirret në përgjegjësi për shkak të ushtrimit të kësaj të drejte. Prandaj, nuk është e rastësishme që cenimi i lirisë së përcaktimit të votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, përbëjnë vepra penale”, theksojnë nga Avokati i Popullit.
