Prishtinë, 15, qershor, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se aksioni kombëtar për eliminimin e deponive ilegale në vend po vazhdon me intensitet të shtuar, duke theksuar se deri më tani janë larguar mbi 2,700 ton mbeturina nga zona të ndryshme të Kosovës.
Në një postim publik, ajo ka theksuar se aktivitetet aktuale po zhvillohen në disa komuna, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën Jugore dhe Veriore, Pejën, Deçanin, Prizrenin dhe Ferizajn, ndërsa ky proces pritet të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit.
“Deri më tani janë larguar mbi 2700 ton mbeturina, ndërsa puna po vazhdon në Prishtinë, Mitrovicë jug dhe veri, Pejë, Deçan, Prizren dhe Ferizaj, e së shpejti edhe në qytetet tjera”, ka deklaruar Pacolli-Dalipi.
Ajo ka theksuar se një nga faktorët kryesorë të krijimit të deponive ilegale ka qenë mungesa e qasjes së qytetarëve në deponitë zyrtare për mbetje sanitare dhe mbetje ndërtimore, duke njoftuar për masa konkrete në bashkëpunim me KMDK-në për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
“Një nga shkaqet kryesore të krijimit të deponive ilegale ka qenë edhe mungesa e qasjes së qytetarëve në deponitë zyrtare për mbeturina sanitare dhe mbetje nga ndërtimi e rrënimet. Për këtë arsye, së bashku me KMDK-në, po ndërmarrim hapa konkretë për ta ndryshuar këtë gjendje”, ka thënë ajo.
Ministrja ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet qasja e qytetarëve në deponitë sanitare në Mirash, Podujevë, Landovicë dhe Velekincë, përmes publikimit të detajeve mbi datat, oraret dhe kushtet e pranimit të mbeturinave.
“Së shpejti do të hapim qasje për qytetarët ku edhe do t’ju informojmë për datat, oraret dhe kushtet e pranimit të mbeturinave në deponitë sanitare në Mirash, Podujevë, Landovicë dhe Velekincë”, është shprehur ajo.
Po ashtu, Pacolli-Dalipi ka bërë të ditur se po investohet në rehabilitimin e deponive rajonale në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Podujevë, me synimin që ato të funksionojnë sipas standardeve evropiane dhe pa rrezikuar mjedisin.
Në fund të reagimit, ajo ka paralajmëruar se do të ketë masa të ashpra ndaj ndotësve të ambientit, duke theksuar se hedhja e mbeturinave jashtë hapësirave të përcaktuara dënohet me ligj me gjoba deri në 5,000 euro.
“Tolerancë ndaj ndotësve nuk do të ketë. Hedhja e mbeturinave jashtë hapësirave të përcaktuara dënohet me ligj, me gjobë maksimale deri në 5,000 euro”, ka paralajmëruar ministrja në detyrë.
Ajo ka përfunduar duke theksuar se mbrojtja e mjedisit mbetet përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe qytetare, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe vetëdijesim më të madh për një ambient më të pastër.
