Tiranë, 15, qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se protesta kundër investimit në Zvërnec po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurt për turistët.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin.
“Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit”, tha Rama.
Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:
1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurtë për turistët. Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.
4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqija që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.
5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre.
Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy:
Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë.
