Londër, 13 maj Zhurnal.mk – Mbreti Charles III prezantoi sot në Parlament programin legjislativ të qeverisë britanike për vitin e ardhshëm, në një moment kur pozicioni i kryeministrit Keir Starmer është vënë në pikëpyetje për shkak të pakënaqësive në rritje brenda Partisë Laburiste, raportoi AP.
Në fjalimin drejtuar ligjvënësve, gjatë ceremonisë tradicionale të hapjes së Parlamentit, mbreti tha se ekonomia, energjia dhe siguria kombëtare e Britanisë së Madhe, do të përballen me sfida të mëdha, ndërsa vendi përballet me pasojat e luftërave në Iran dhe Ukrainë.
Masat e planifikuara përfshijnë kontrollin e kostos së jetesës, forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe lehtësimin e ndërtimit të infrastrukturës së re energjetike.
Gjithashtu, në përgjigje të sulmeve të fundit ndaj komunitetit hebre, mbreti u zotua për veprime kundër antisemitizmit, duke deklaruar se qeveria do të “mbrojë vlerat britanike” të dinjitetit dhe tolerancës.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Starmer do të jetë ende në detyrë për të zbatuar këto masa.
Më shumë se një e pesta e deputetëve laburistë në Dhomën e Komunëve i kanë kërkuar të përcaktojë një afat për largimin, ndërsa disa zyrtarë të rinj qeveritarë kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste.
Tensionet u rritën pasi ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, i përfolur si pasues i mundshëm, zhvilloi një takim të shkurtër me Starmer.
Sipas raportimeve të mediave britanike, ai mund të japë dorëheqjen dhe të nisë sfidën për drejtimin e partisë që të enjten.
Fjalimi i mbretit Charles shihet si përpjekja më e fundit e Starmer për të shpëtuar qeverisjen e tij, pasi laburistët pësuan humbje të mëdha në zgjedhjet lokale dhe rajonale javën e kaluar.
Partia humbi vota si ndaj të djathtës “Reform UK”, ashtu edhe ndaj të majtës “Green Party”, si edhe ndaj partive nacionaliste në Skoci dhe Uells.
Edhe pse laburistët fituan bindshëm zgjedhjet e vitit 2024, popullariteti i partisë ka rënë ndjeshëm.
Ndër arsyet përmenden gabimet politike, ekonomia e dobët dhe mungesa e një vizioni të qartë nga Starmer.
Gjithashtu, emërimi i Peter Mandelson si ambasador në Britani të Madhe, pavarësisht lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein, ka shtuar kritikat ndaj tij.
Pavarësisht presionit, Starmer ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Mbi 100 deputetë i kanë dalë në mbështetje, duke deklaruar se “nuk është koha” për një garë të re për drejtimin e partisë.
Ceremonia e “Fjalimit të Mbretit”, e ndjekur që prej vitit 1852, mbetet një nga traditat më të vjetra politike britanike.
Mbreti mbërriti nga Pallatin Buckingham në parlament, me karrocë ceremoniale dhe mbajti fjalimin i ulur pranë mbretëreshës Camilla, duke mbajtur Kurorën Perandorake dhe mantelin mbretëror.
Pas fjalimit, të dy dhomat e parlamentit nisën debatin disaditor mbi përmbajtjen e programit qeveritar.
