Shkup, 27 shtator Zhurnal.mk – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj, është ndaluar sot nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Bllatës, në Dibër.
Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, Haklaj ka deklaruar se autoritetet maqedonase i kanë komunikuar se nuk mund të hyjë në territorin e Maqedonisë së Veriut, pasi, sipas tij, konsiderohet “kërcënues për sigurinë publike kombëtare” të vendit.
Haklaj pretendon se ndalimi i sotëm lidhet me mbështetjen që ai u ka dhënë UÇK-së dhe aktiviteteve të organizuara në Tiranë dhe Shkup në mbështetje të katër ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot më thanë që ndalohesh të hysh në RMV sepse je kërcënues i sigurisë publike kombëtare të RMV. Më nxorën një dokument dhe më thanë: ‘Firmose’. Dhe i thashë: ‘E firmos që refuzoj motivacionin’. Përfaqësuesi i autoriteteve maqedonase aty më tha: ‘Jo’”, pohoi ai.
Më tej shprehet gjithashtu se ka kontaktuar disa figura politike dhe përfaqësues diplomatikë për të kërkuar sqarime mbi situatën. Ai deklaron se i është komunikuar se ndalimi nuk është bërë nga policia, por nga shërbimi sekret i Maqedonisë së Veriut.
“Në këto kushte kam njoftuar Ali Ahmetin, kryetarin e BDI-së, ambasadorin Denion Meidan, Rafis Alitin, ish-nënkryetar i Parlamentit të RMV-së, dhe Arbër Ademin, deputet i RMV-së. Ua shpjegova situatën dhe, pas shumë kontaktesh të tjera, më thanë që nuk të ka ndaluar policia, por shërbimi sekret i RMV-së.
Shërbimi sekret qenka i brendshëm i sigurisë publike dhe i jashtëm. I brendshmi varet nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe i jashtmi nga Presidenti. Kjo është arsyeja e ndalimit tim, për shkak se ne po shkonim në mitingun që organizohej në Shkup, ‘Marshi i Lirisë’.
Ma shpjeguan që ndalimi im është për shkak të mbështetjes që i ke dhënë UÇK-së dhe mitingjeve të organizuara në Tiranë dhe në Shkup”, deklaroi ai.
Ai thotë se do t’i drejtohet sërish Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për këtë çështje.
“Unë edhe për ndalesat e tjera i kam shkruar letër publike Ministrisë së Jashtme. Ndërkohë i kam thënë edhe ambasadorit në RMV dhe emri nuk më është hequr nga lista. Ky problem është vetëm me RMV-në. Unë do t’i drejtohem sërish Ministrisë së Jashtme për këtë ndalim”, u shpreh ai.
Haklaj thotë se problemi me autoritetet maqedonase ka nisur pas protestës së 17 tetorit të vitit të kaluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa pretendon se ndaj tij ka pasur më herët qëndrime të ngjashme nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë. Sipas tij, që prej asaj kohe është ndaluar disa herë gjatë kalimeve në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
“Historia me Maqedoninë e Veriut ka nisur pas 17 tetorit të vitit të kaluar, kur ne bëmë protestën në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë. Ndërsa historia ime me sllavët ka filluar herët, kur në vitin 2011 Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë një notë proteste kundër meje, për qëndrimet dhe deklaratat e mia në Preshevë.
Maqedonia e Veriut ka mbajtur këtë qëndrim në vitin 2009 dhe tani, pas 17 tetorit të vitit të kaluar, kam qenë edhe në Hagë, edhe në Shkup, dhe që nga ajo ditë më kanë ndaluar sa herë kam kaluar në pikat e kalimit me RMV. Më është komunikuar që e ke emrin në sistem dhe, pas insistimit dhe dialogut tim, më kanë lënë që të kaloj”, u shpreh ish-deputeti.
Haklaj udhëtonte drejt Shkupit së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhiu, por ndalimi ishte urdhëruar vetëm për ish-deputetin.
