Meksiko, 27 maj Zhurnal.mk – Meksika dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur sot raundin e parë zyrtar të negociatave për rishikimin e marrëveshjes tregtare USMCA, nën presionin e kërcënimeve për tarifa nga administrata e Donald Trump.
Ministria e Ekonomisë e Meksikës bëri të ditur se ky është “raundi i parë zyrtar i negociatave për t’u përgatitur për rishikimin e përbashkët të marrëveshjes”, ku përfshihet edhe Kanadaja.
Marrëveshja USMCA, e cila zëvendësoi NAFTA-n, rishikohet çdo gjashtë vjet dhe konsiderohet jetike për ekonominë meksikane.
SHBA mbetet partneri më i madh tregtar i Meksikës dhe destinacioni i mbi 80% të eksporteve të saj.
Sipas autoriteteve meksikane, raundi aktual i negociatave do të zgjasë deri të premten, ndërsa diskutimet do të vijojnë edhe gjatë muajve qershor dhe korrik në Washington dhe sërish në Mexico City.
Në deklaratën zyrtare thuhet se palët kanë përcaktuar hapat e ardhshëm për të thelluar diskutimet dhe për të arritur rezultate konkrete në dobi të rajonit të Amerikës së Veriut.
“Meksika dhe Shtetet e Bashkuara riafirmuan angazhimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në funksion të një Amerike të Veriut më të bashkuar, më dinamike dhe më të fuqishme”, deklaroi Ministria e Financave e Meksikës.
