Mexhiti: Çarshia e Vjetër mbetet prioriteti ynë, ruajtja e traditës dhe zhvillimi i saj kërkojnë përkushtim të përbashkët

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe përfaqësuesit e Esnafit të Çarshisë, mori pjesë në Festivalin “Ritmi i Çarshisë”, një manifestim kulturor që promovon trashëgiminë, traditat dhe zejet karakteristike të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Festivali shërbeu si një platformë për promovimin e vlerave kulturore dhe artizanale, duke vënë në pah rëndësinë historike, shoqërore dhe ekonomike të Çarshisë. Gjatë aktivitetit u theksua nevoja për ruajtjen e identitetit të saj autentik, mbështetjen e zejtarëve dhe bizneseve vendore, si dhe zhvillimin e iniciativave që pasurojnë jetën kulturore të qytetit.

“Çarshia e Vjetër është një nga pasuritë më të çmuara të Shkupit dhe pjesë e pandashme e identitetit të tij historik e kulturor. Vlera e saj qëndron jo vetëm te trashëgimia që përfaqëson, por edhe te njerëzit, zejtarët dhe bizneset që i japin jetë çdo ditë. Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Esnafin e Çarshisë, do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që ruajnë traditën, promovojnë kulturën dhe krijojnë mundësi të reja për zhvillim. Çarshia meriton vëmendje, investime dhe përkushtim konkret, prandaj mbetet një nga prioritetet tona të padiskutueshme”, deklaroi Mexhiti.

Komuna e Çairit do të vazhdojë bashkëpunimin institucional me Qytetin e Shkupit dhe aktorët lokalë për promovimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e veprimtarive tradicionale dhe fuqizimin e rolit të Çarshisë së Vjetër si qendër e rëndësishme kulturore, turistike dhe ekonomike e kryeqytetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër