Mexhiti: Drejtësia, Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive dhe Kultura janë tri ministri strategjike për avancimin e pozitës së shqiptarëve

Nga D. V.
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se marrja e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për forcimin e institucioneve shtetërore.

Në një reagim me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ai theksoi se vendi po hyn në një fazë të re të qeverisjes, të mbështetur në parimet e barazisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë.

“Drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës dhe garancia më e fortë për barazinë e qytetarëve. Marrja e këtij resori nënkupton përgjegjësi për të çuar përpara reforma të thella në sistemin e drejtësisë, për ta kthyer besimin e qytetarëve te gjyqësori dhe institucionet, për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive dhe ajo e Kulturës do të kenë rol të rëndësishëm në forcimin e kohezionit shoqëror, promovimin e karakterit multietnik të shtetit dhe ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve, ndërsa së bashku me resorët e Çështjeve Evropiane, Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor do të kontribuojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

“Ky rikonfigurim përfaqëson edhe një konsolidim të plotë të përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri. Një VLEN i konsoliduar në Qeveri nënkupton më shumë unitet në vendimmarrje, më shumë efikasitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe më shumë përgjegjësi në përmbushjen e zotimeve tona ndaj qytetarëve”, përfundoi Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër