Shkup, 29 prill, Zhurnal.mk – Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka lënë të hapur mundësinë që Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela të bëhet pjesë e qeverisë, duke theksuar se aktualisht nuk ka bisedime serioze, por dera mbetet e hapur.
Në një intervistë për TV24 – “24 Analiza”, i pyetur nëse Sela do të ftohet t’i bashkohet qeverisë, Mexhiti u shpreh se deri tani nuk ka një iniciativë konkrete, por nuk e përjashtoi një mundësi të tillë në të ardhmen.
“Deri tash jo, nëse ka nevojë atëherë. Dyert nuk janë të mbyllura, dera është e hapur, nuk ka diçka serioze të bisedimeve”, deklaroi Mexhiti, duke e përsëritur se “derën e ka të hapur”.
I pyetur nëse ai po zhvillohen bisedime me Selën, ai sqaroi se komunikime ekzistojnë mbrenda grupeve të ndryshme mbrenda partive, në nivele joformale dhe me parti të ndryshme politike.
“Në nivel të grupeve të ndryshme mbrenda partive, ne flasim me të gjitha partitë, komunikojmë normal… flasim edhe me Arben Taravarin edhe me BDI-në, Maqedonia është e vogël… kontaktet me të gjitha partitë janë normale. Por qeveria është stabile”, tha Mexhiti.
Deklarata e tij vjen në kohën e spekulimeve për lëvizje të mundshme në kampin politik shqiptar, ndërsa Mexhiti theksoi se përkundër kontakteve të zakonshme politike, stabiliteti i qeverisë nuk vihet në pikëpyetje.
