Rrugëtimi “ZNAM”, nga kryetar komune në grup parlamentar me 6 deputetë

Nga B.M
498 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 prill, Zhurnal.mk – Maksim Dimitrievski e filloi karrierën politike si kryetar i Komunës së Kumanovës nën logon e LSDM-së për herë të parë në vitin 2017, por shpejt u përplas me strukturat e partisë. 

Shkëputja e tij nga LSDM pasoi me vendimin që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 të garojë si kandidat i pavarur.

Dimitrievski, jo vetëm që fitoi mandatin e dytë, por krijoi një precedent të rrallë ku një kryetar komune sfidon partitë e mëdha dhe del fitues. Ky sukses i dha mbase motiv për të themeluar subjektin e tij politik “Za Nasha Makedonija (ZNAM) – ‘Për Maqedoninë tonë’- me të cilin fitoi edhe mandatin e tretë. Por, duhet theksuar se mandatin e dytë dhe të tretë e ka fituar kryekëput me ndihmën e qytetarëve shqiptarë të Kumanovës, shkruan Zhurnal.mk

Si u fut ZNAM në skenën politike?

ZNAM u themelua më 9 tetor 2023, në një kongres të organizuar në Shkup. Dimitrievski e prezantoi si parti që do të rikthente besimin e qytetarëve tek politika, duke u mbështetur në rrënjët lokale dhe në një retorikë të thjeshtë, por të fuqishme “Maqedonia për njerëzit e saj”. Të njëjtën retorikë e ndjekte edhe partia më e madhe maqedonase opozitare atëkohë, VMRO-DPMNE.

Pas Kumanovë, brenda pak muajve krijoi disa degë edhe në qytete të tjera, duke u shndërruar në parti me ambicie kombëtare.

Ky hap e futi ZNAM në skenën politike si një fenomen i ri që sfidoi partitë e mëdha të Maqedonisë së Veriut. 

Zgjedhjet e vitit 2024 

Viti 2024 ishte prova e parë e madhe për ZNAM, mbase kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja që nxiti Dimitrievskin drejt themelimit të një subjekti amë. 

Në zgjedhjet e dyfishta të vitit 2024, presidenciale dhe parlamentare, Dimitrievski vendosi të garojë personalisht për postin e presidentit dhe nuk doli keq, pasi mori mbi 83 mijë vota, duke u renditur në mesin e kandidatëve më të votuar. 

Në zgjedhjet parlamentare, ZNAM fitoi 56 mijë vota me çka siguroi 6 deputetë. Edhe pse ishte një sukses për një parti e re, krahasuar me euforinë e presidencialeve ky rezultat tregoi kufijtë e ndikimit të saj. Ky kontrast mes presidencialeve dhe parlamentareve e shënoi kulmin dhe njëkohësisht fillimin e sfidave për ZNAM.

Rënia e ZNAM-it

Pas entuziazmit fillestar, realiteti politik tregoi se ZNAM nuk kishte ende strukturën e duhur për të mbajtur ritmin. Kjo bazohet në krahasimin e votave, nga 83 mijë vota në presidenciale në parlamentare dy javë më vonë ra në 56 mijë, duke pësuar një humbje prej rreth 27 mijë votash.

Megjithëatë subjekti politik i themeluar gjashtë muaj para pjesëmarrjes në zgjedhjesiguroi gjashtë ulëse në Kuvend i mundësuan edhe krijimin e një grupi të vetëm parlamentar,

ZNAM sot

Sot ZNAM është pjesë e shumicës parlamentare, në koalicion me VMRO-DPMNE. Udhëheq dy ministri dhe ka funksione të tjera në kuadër të marrëveshjes politike me VMRO-në. Për VMRO-në duket që ZNAM është partner i rëndësishëm pasi i jep stabilitet qeverisë, duke shmangur varësinë e VMRO-së nga VLEN.

Por, ministrat e ZNAM shpesh perceptohen si më problematikë në raport me shqiptarët, për shkak të futjes së menjëhershme në pushtet dhe mungesës së përvojës në menaxhimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Refuzimi që ministri nga radhët e ZNAM iu bënë studentëve shqiptarë të juridikut për të kaluar provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare shpalos një profil të ri të kësaj partie sa i përket qasjes ndaj shqiptarëve dhe në këtë rast të drejtës së tyre për përdorim të gjuhës shqipe në institucionet e vendit.

Ky pozicion refuzues i ka dhënë ZNAM një kondicion politik për të mbetur në skenë, por e ka ekspozuar edhe ndaj kritikave të shumta dhe është cilësuar si mosmirënjohje e ndihmës së shqiptarëve për Dimitrievskin në dy palë zgjedhjesh lokale në Kumanovë. 

Kështu që, partia duket se ka fituar peshë institucionale, por mbetet për t’u parë nëse do të ruajë mbështetjen popullore në zgjedhjet e ardhshme.

Mbetet të shihet nëse ZNAM do të arrijë të konsolidohet si parti e qëndrueshme, apo do të mbetet një fenomen i përkohshëm i politikës. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër