Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është takuar me humanistin e njohur Halil Kastrati, me fokus mbështetjen e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë dhe mundësitë për bashkëpunim në projekte me rëndësi sociale.
Gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve, Mexhiti u njoh nga afër me aktivitetet dhe punën e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, e cila prej vitesh angazhohet në ndihmën e familjeve dhe individëve në nevojë.
Në takimin me Kastratin, një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta “Idnina – E ardhmja” në Çair. Sipas planifikimeve, projekti parashikon ndërtimin e një objekti prej rreth 2.000 metra katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë dhe një vlerë investimi prej afërsisht 2 milionë euro.
Shkolla synon të ofrojë kushte moderne dhe të përshtatura për mësim, terapi dhe zhvillim të fëmijëve me nevoja të veçanta, duke krijuar hapësira që i përgjigjen kërkesave të tyre arsimore dhe sociale.
Palët diskutuan mundësitë për bashkimin e përvojës dhe kapaciteteve të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” me angazhimin institucional të Komunës së Çairit, me qëllim realizimin e këtij projekti. Sipas Mexhitit, familjet që presin ndërtimin e kësaj shkolle kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët meritojnë kushte dinjitoze për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të shprehur potencialin e tyre.
Ai theksoi se bashkëpunimi me organizata që kanë dëshmuar përkushtim në fushën sociale mund të japë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

