Mexhiti: Rruga “Faik Konica” në Dizhon po merr pamje të re, Hoxha: Po zgjidhim probleme shumëvjeçare me investime në infrastrukturë

Nga Xh M
699 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 gusht Zhurnal.mk – Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se punimet në rrugën “Faik Konica” në lagjen Dizhon po i afrohen përfundimit, duke theksuar se investimet infrastrukturore po vazhdojnë me ritëm të intensifikuar në komunën e Çairit.

Sipas Mexhitit, tashmë është ndërtuar kanalizimi fekal, është rindërtuar rrjeti i ujësjellësit për çdo shtëpi, ndërsa aktualisht po realizohen asfaltimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuareve.

“Kështu po punohet në çdo rrugë, në çdo lagje, në të gjithë Çairin”, ka shkruar Mexhiti.

Ndërkohë, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, bëri të ditur se në Çair është shënuar përfundimi i ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit në rrugën “Dizhon 15”, projekt për të cilin Ministria ka siguruar 6,9 milionë denarë.

Ai theksoi se ky investim përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e infrastrukturës komunale.

Sipas Hoxhës, në lagjen Dizhon vazhdojnë aktivitetet për rindërtimin dhe modernizimin e plotë të rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit dhe rrjetit atmosferik.

“Këto investime janë pjesë e rëndësishme e kthesës së gjelbër – po zgjidhim probleme shumëvjeçare, po ndërtojmë sisteme funksionale dhe të qëndrueshme dhe po krijojmë kushte më të mira për qytetarët”, theksoi ministri Hoxha.

Ai shtoi se Ministria do të vazhdojë të mbështesë dhe të koordinojë punën me komunat për realizimin e projekteve konkrete që sjellin rezultate të dukshme për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër