Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski porositi se qëllimi i Qeverisë është krijimi i një ekonomie, rritjen e së cilës do ta ndiejnë qytetarët, me më shumë investime, vende pune cilësore dhe të paguara mirë, si dhe kushte më të mira për punëtorët. Në fjalimin e tij me rastin e nënshkrimit të Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze për periudhën 2026–2030, ai paralajmëroi reforma në legjislacionin e punës, modernizimin e institucioneve dhe forcimin e mbikëqyrjes inspektuese.
“Qëllimi ynë është i qartë: të jemi një vend ku puna respektohet, dijet vlerësohen dhe puna siguron një jetë dinjitoze”, theksoi Mickoski.
Ai vuri në dukje se Maqedonia po përballet me sfida serioze, ndër të cilat mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrimi i të rinjve, produktiviteti i pamjaftueshëm dhe mospërputhja ndërmjet arsimit dhe nevojave të kompanive.
“Ne duam një ekonomi që rritet, por edhe më e rëndësishme, një ekonomi rritjen e së cilës e ndiejnë qytetarët. Ne duam më shumë investime, por investime që krijojnë vende pune cilësore dhe të paguara mirë”, tha kryeministri.
Sipas tij, kompanitë e suksesshme dhe punëtorët e kënaqur janë objektiva të ndërlidhura, prandaj politikat qeveritare janë të orientuara drejt rritjes së produktivitetit, zhvillimit të aftësive të reja, përmirësimit të kushteve të punës dhe hapjes së mundësive të reja për punësim.
Mickoski theksoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet të rinjve dhe krijimit të kushteve që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni.
“Nuk duam që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut. Duam që këtu ta marrin shansin e tyre të parë, këtu të ndërtojnë karrierë, këtu të krijojnë familje dhe këtu t’i realizojnë ambiciet e tyre”, theksoi ai.
Kryeministri u ndal edhe te nevoja për fuqizim më të madh ekonomik të grave, pjesëmarrje më të madhe të tyre në tregun e punës dhe sigurimin e mundësive të barabarta për zhvillim profesional.
Duke folur për bashkëpunimin me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ONP), Mickoski tha se programi i ri përfaqëson vazhdimin e partneritetit shumëvjeçar në fushat e të drejtave të punëtorëve, pagës minimale, punësimit të të rinjve dhe dialogut social.
Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme fokusi do të vendoset te reformat në legjislacionin e punës, modernizimi i institucioneve, forcimi i mbikëqyrjes inspektuese, zhvillimi i aftësive dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve.
“Ligjet janë të rëndësishme. Programet janë të rëndësishme. Memorandumet janë të rëndësishme. Por më e rëndësishmja është që qytetarët t’i ndiejnë rezultatet e tyre”, nënvizoi Mickoski.
Kryeministri porositi se nënshkrimi i programit është vetëm fillimi, ndërsa obligimi i vërtetë vjen me zbatimin e tij.
“Puna dinjitoze nuk është privilegj. Ajo është e drejtë. Ndërsa jeta dinjitoze nuk guxon të jetë një dëshirë e paarritshme. Ajo duhet të jetë realitet, një mundësi reale për secilin qytetar tonin”, porositi Mickoski.
