Revizion në MTD: Objekte me vlerë 1 denar, fatura të regjistruara me vonesë dhe gjashtë departamente pa asnjë të punësuar

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Revizorët shtetërorë nuk kanë mundur të konfirmojnë se raportet financiare të Ministrisë së Transformimit Digjital (MTD) për vitin 2024 paraqesin në mënyrë reale dhe objektive gjendjen financiare të institucionit. Arsyeja nuk lidhet me një gabim të izoluar, por me një varg dobësish, duke filluar nga regjistrimi jo i plotë i pasurisë dhe pronave të pavlerësuara, deri te detyrime të evidentuara me vite vonesë dhe furnizime me mallra e shërbime pa procedurë të zhvilluar të prokurimit publik.

Revizorët e Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) janë përmbajtur nga dhënia e opinionit për raportet financiare, ndërsa për përputhshmërinë me ligjet dhe rregulloret kanë dhënë opinion me rezervë. Siç theksohet në raport:

“Nuk ishim në gjendje të siguronim dëshmi të mjaftueshme dhe të përshtatshme revizore.”

Pasuri me vlerë miliona, por pa të dhëna të qarta

Regjistrimi i jashtëzakonshëm i pasurisë nuk ka qenë i plotë. Nuk janë regjistruar një pjesë e pasurisë jomateriale dhe telefonat mobilë, listat e regjistrimit nuk kanë përmbajtur tregues të vlerës, ndërsa për një pjesë të mjeteve kanë munguar edhe numrat e inventarit. Bilanci ndarës ndërmjet Ministrisë së sapoformuar të Transformimit Digjital dhe Ministrisë së Administratës Publike nuk është realizuar.

Si pasojë, në bilancin e Ministrisë kanë mbetur edhe mjetet e ish-Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), së bashku me pasurinë e re të blerë nga MTD-ja.

Veçanërisht theksohet zëri “Objekte”, i evidentuar me vlerë prej 140,05 milionë denarësh ose rreth 2,28 milionë euro, që përfaqëson 92,29 për qind të vlerës aktuale të objekteve ndërtimore. Për këtë zë, revizorët theksojnë:

“Nuk u dorëzua informacion/dokumentacion nga i cili mund të shihet se për cilat objekte ndërtimore bëhet fjalë.”

Edhe më ilustrues është fakti se në evidencën jashtëbilancore figurojnë 16 objekte afariste me vlerë nga një denar secili, për të cilat Ministria nuk posedon dokumentacion të plotë. Sipas ESHR-së, ky problem është evidentuar edhe në revizionet e kaluara, por ende nuk është zgjidhur.

Problem paraqet edhe hapësira afariste prej 908,48 metrash katrorë në rrugën “Filipi i Dytë Maqedonas” në Shkup. Edhe pse ekziston fletëpronësi, nuk është bërë vlerësimi i saj për t’u përfshirë në librat kontabël.

Pajisje kompjuterike të evidentuara si pasuri jomateriale

Revizioni evidenton edhe klasifikim të gabuar kontabël. Pasuritë jomateriale janë paraqitur për 4,37 milionë denarë ose rreth 71 mijë euro më shumë se vlera reale, pasi në to janë regjistruar pajisje kompjuterike me vlerë prej 1,83 milionë denarësh dhe shërbime IT në vlerë prej 2,54 milionë denarësh.

Sipas revizorëve, kjo mënyrë evidencimi nuk është në përputhje me rregullat kontabël për shfrytëzuesit buxhetorë.

Faturat regjistroheshin me një ose dy vite vonesë

Një problem tjetër serioz lidhet me mënyrën e regjistrimit të detyrimeve. Gjatë vitit 2024 në librat kontabël janë futur fatura për mallra dhe shërbime të furnizuara në vitin 2023, në vlerë totale prej 11,28 milionë denarësh ose rreth 183 mijë euro.

Po ashtu, 6,28 milionë denarë detyrime të krijuara gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë evidentuar vetëm në vitin 2025.

Revizorët paralajmërojnë:

“Kjo gjendje ndikon në paraqitjen joreale të detyrimeve ndaj furnizuesve.”

Më 31 dhjetor 2024, në bilanc ishin paraqitur detyrime ndaj furnizuesve vendas prej 14,48 milionë denarësh, ndërsa në raportin e regjistrimit vjetor figuronin vetëm 5,54 milionë denarë.

2,7 milionë denarë të shpenzuara pa procedurë të prokurimit publik

ESHR-ja ka konstatuar se gjatë vitit 2024 janë paguar 2,73 milionë denarë ose rreth 44,4 mijë euro për mallra dhe shërbime pa procedurë të zhvilluar të prokurimit publik.

Ligji lejon blerje pa procedurë deri në 12 mijë euro në vit, ndërsa revizorët vlerësojnë se një praktikë e tillë nuk garanton konkurrencë, trajtim të barabartë, transparencë dhe shfrytëzim racional të mjeteve publike.

“Blerja e mallrave dhe shërbimeve pa procedurë të prokurimit publik nuk siguron respektimin e parimeve ligjore.”

Ministria kishte kundërshtime ndaj këtij konstatimi. Pas dorëzimit të dokumenteve shtesë, ESHR-ja e pranoi pjesërisht reagimin dhe korrigjoi shumën në raportin përfundimtar në 2,73 milionë denarë.

Mungojnë dëshmi për garancitë në tenderë

Gjatë kontrollit të prokurimeve publike, revizorët konstatuan se për tre procedura mungojnë dokumentet që dëshmojnë se janë dorëzuar garancitë e ofertës, ndërsa për gjashtë procedura mungon dokumentacioni për garancinë e zbatimit cilësor të kontratës.

Sipas ESHR-së, kjo ul transparencën dhe kufizon mundësinë për të vërtetuar nëse procedurat dhe përzgjedhjet janë zhvilluar sipas kushteve të tenderit.

Nuk funksionon as revizioni i brendshëm

Edhe pse Ministria menaxhon mjete të konsiderueshme buxhetore dhe infrastrukturë kritike digjitale, gjatë vitit 2024 sektori për revizion të brendshëm kishte vetëm një të punësuar, një këshilltar dhe revizor të brendshëm në trajnim.

Gjatë gjithë vitit nuk është realizuar asnjë revizion i brendshëm.

ESHR vlerëson:

“Mungesa e personelit në departament dhe mosrealizimi i revizioneve nuk mundësojnë përmbushjen e detyrës themelore të revizionit të brendshëm.”

Sipas kritereve ligjore, një institucion me plan financiar mesatar prej të paktën 500 milionë denarësh duhet të ketë së paku tre revizorë të brendshëm dhe një udhëheqës të sektorit.

Pasuri me vlerë, por pa sigurim

Gjatë vitit 2024 Ministria nuk kishte sigurim vjetor për pasurinë e paluajtshme dhe pajisjet kundër zjarrit, fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, vjedhjes dhe dëmtimeve.

ESHR paralajmëron se kjo krijon rrezik që dëmet eventuale të mos mbulohen nga kompanitë e sigurimit dhe të rëndojnë shtesë mbi Buxhetin.

43 për qind e vendeve të punës të paplotësuara

Revizioni zbulon edhe dobësi serioze kadrovike që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e institucionit.

Në momentin e raportimit, 43 për qind e vendeve të sistematizuara të punës nuk ishin plotësuar. Pozita drejtuese mungonin në katër nga gjithsej dhjetë sektorë, ndërsa në gjashtë departamente nuk kishte asnjë të punësuar.

Borxhe të vjetra dhe padi në vlerë qindra milionë denarë

Raporti evidenton edhe një problem financiar që lidhet me veprimtarinë radiodifuzive. Për vitin 2023 ishin miratuar 900 milionë denarë, por kjo shumë nuk përputhej me nivelin e përcaktuar me ligj.

Për këtë arsye, Radiotelevizioni i Maqedonisë (RTM) ngriti padi për 470,04 milionë denarë, ndërsa Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale kërkoi edhe 4,81 milionë denarë.

Për të shmangur shpenzime shtesë gjyqësore dhe kamata, u arritën marrëveshje jashtëgjyqësore. Me RTM-në u dakordua që kërkesa prej 470 milionë denarësh të mbyllet me 235,02 milionë denarë, ose rreth 3,82 milionë euro, në një periudhë katërvjeçare.

Gjetjet e revizionit i referohen një periudhe të ristrukturimit institucional. Gjatë vitit 2024, në periudha të ndryshme, ish-MSHIA dhe më pas Ministria e sapoformuar e Transformimit Digjital janë drejtuar nga Azir Aliu (28 shkurt 2023 – 9 shkurt 2024), Naim Bajrami (10 shkurt – 20 qershor 2024) dhe Stefan Andonovski (nga 23 qershori 2024).

Sipas raportit të revizionit, përgjegjësia për përgatitjen dhe paraqitjen objektive të raporteve financiare bie mbi udhëheqësinë e institucioneve në periudhat përkatëse, duke përfshirë vendosjen dhe mirëmbajtjen e kontrolleve të brendshme, zbatimin e politikave të përshtatshme kontabël dhe sigurimin që aktivitetet dhe transaksionet financiare të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër