Mickoski: Maqedonia drejt një epoke të re energjetike dhe investimesh strategjike

nga Xh M

Davos, 21 janar – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se dita e sotme shënoi një hap të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike të Maqedonisë, pas një sërë takimesh të suksesshme dhe frymëzuese me kompani të mëdha multinacionale nga fusha e energjetikës, shëndetësisë dhe teknologjisë së lartë.

Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e Qeverisë prezantuan potencialin e madh të Maqedonisë për investime, duke theksuar se këto projekte do të sjellin vlerë të shtuar konkrete për qytetarët dhe ekonominë kombëtare.

Vëmendje e veçantë iu kushtua panelit për energjetikë, ku Mickoski ishte pjesëmarrës aktiv dhe folës, krah për krah me Sekretarin për Energjetikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Wright. Paneli mblodhi udhëheqësit botërorë të industrisë energjetike, kompani nga të gjitha kontinentet, me qarkullime që maten në mijëra miliardë.

Në këtë forum u diskutuan pritshmëritë dhe planet globale për zhvillimin e energjetikës në vitet e ardhshme, me theks të veçantë në prodhimin e energjisë elektrike. Mickoski theksoi se kërkesa globale për energji elektrike do të rritet me ritëm shumë më të shpejtë se kërkesa e përgjithshme për energji, çka për Maqedoninë paraqet një mundësi strategjike që nuk duhet humbur.

Ai nënvizoi nevojën që Maqedonia të mos mbetet vëzhguese pasive, por të rikthejë dhe ristartojë projekte të rëndësishme energjetike si Çebreni, Galishta, Boshkov Most, si dhe të hapë dyert për investime të reja në burime të rinovueshme të energjisë. Sipas tij, interesimi i investitorëve ndërkombëtarë tashmë është i qartë.

Mickoski theksoi gjithashtu se zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe ndërtimi i qendrave të të dhënave do ta rrisin ndjeshëm kërkesën për energji elektrike në nivel global, duke e bërë sektorin energjetik një shtyllë kyçe të zhvillimit ekonomik në dekadat që vijnë.

Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi se Maqedonia duhet të diversifikojë ekonominë e saj dhe, përveç industrisë automobilistike, të pozicionohet si faktor i rëndësishëm rajonal në energjetikë.

“Jam i bindur se si shtet kemi kapacitetin, potencialin dhe vullnetin për ta realizuar këtë vizion. Maqedonia do t’ia dalë,” përfundoi Mickoski.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More