Shkup, 11 Maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski sot realizoi inspektim të aktiviteteve ndërtimore në autostradën Gostivar – Bukojçan, me ç’rast theksoi rëndësinë strategjike të lidhjes së vendit përmes korridoreve kyçe 8 dhe 10.
Sipas tij, projektet infrastrukturore që po realizohen aktualisht, nga rrjeti rrugor dhe hekurudhor, deri te lidhjet energjetike dhe të gazit, përfaqësojnë bazën e vizionit afatgjatë për Maqedoninë e Veriut si qendër rajonale transporti dhe energjie.
“Ndërtimi i autostradave moderne, modernizimi i hekurudhës, zhvillimi i hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10, si dhe lidhja energjetike përmes linjave të reja të tensionit të lartë dhe gazsjellësve, janë pjesë e një procesi më të gjerë strategjik. Po punohet intensivisht edhe për lidhjen e gazsjellësit me Greqinë, ndërsa këtë javë do të shpallet edhe tenderi për gazsjellësin drejt Serbisë, për të cilin tashmë janë marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme. Në funksion është edhe lidhja e naftovodit nga Selaniku deri në Shkup”, theksoi kryeministri, përcjell Zhurnal.mk.
Mickoski potencoi se me realizimin e këtyre projekteve, vendi po i afrohet qëllimit për t’u bërë qendër rajonale energjetike dhe transporti.
Ai paralajmëroi edhe mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria për investimet infrastrukturore, duke shprehur pritjen që së shpejti të lëshohet në përdorim edhe pjesa e mbetur e autostradës Kërçovë – Ohër, si dhe lidhja e gazsjellësit me Greqinë, përfundimi i së cilës parashihet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Autostrada Gostivar – Bukojçan, e cila realizohet në kuadër të paketës projektuese të Bechtel & Enka, aktualisht ndodhet në fazë intensive ndërtimi, me punime aktive në rreth 11 nga gjithsej 31 kilometrat e planifikuara.
