Mickoski nga Shtipi: Investimet në “Aktiva Shtip” rrisin vlerën e ekonomisë vendore

Nga D. V.
858 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shtip, 5 mars, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite në repartin prodhues të kompanisë Aktiva Shtip në Shtip, theksoi se investimet në kapacitete të reja prodhuese po kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë vendore dhe asaj lokale.
Ai bëri të ditur se Qeveria, përmes një huaje për të cilën është folur më herët, ka ndihmuar që kompania të investojë në teknologji dhe linja të reja prodhimi, duke i dhënë kështu një dimension të ri kapaciteteve të saj prodhuese.
Sipas Mickoskit, këto investime kanë vlerë të madhe të shtuar për ekonominë e vendit dhe për zhvillimin ekonomik të qytetit të Shtipit, trasnsmeton, Zhurnal.mk.
“580 persona janë të punësuar në këtë kompani. Nga ajo që pata mundësi të shoh, veçanërisht sistemet robotike që punojnë paralelisht në procesin e prodhimit, janë vërtet mbresëlënëse dhe kontribuojnë në rritjen e vlerës së prodhimit”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë kompanitë vendore në mënyrë që ato të kenë kushte më të mira për zhvillim dhe rritje ekonomike.
Kryeministri gjithashtu vlerësoi zhvillimin e kompanisë, duke theksuar se një biznes familjar që ka nisur në përmasa të vogla sot po shndërrohet në një kompani të madhe për kushtet e vendit, me mbi 45 mijë metra katrorë hapësirë prodhuese dhe teknologji të avancuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër