Shkup, 11 mars – Kryeministri Hristijan Mickoski, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e marketeve të mëdha në vend, ku u diskutua për situatën me çmimet e produkteve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
Pas takimit, Mickoski deklaroi se institucionet po e ndjekin nga afër situatën në treg dhe se nuk do të lejojnë devijime apo përfitime të padrejta në kurriz të qytetarëve.
Ai theksoi se shteti nuk do të ndërhyjë në treg pa arsye, por paralajmëroi se autoritetet nuk do të qëndrojnë pasive nëse krijohet presion i pajustifikuar ndaj konsumatorëve.
Sipas kryeministrit, gjatë takimit me përfaqësuesit e marketeve është arritur një mirëkuptim që çmimet e produkteve të jenë të drejta dhe të mos ketë rritje të reja të tyre në periudhën në vijim.
Mickoski shtoi se institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë situatën dhe do të ndërhyjnë nëse paraqitet nevoja, duke theksuar se interesi i qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i qeverisë.
