Mini-deponi mes dhjetëra shtëpive në Shkup, banorët të pafuqishëm: Komuna thotë se toka është private

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 tetor Zhurnal.mk – Një mini-deponi ilegale po krijohet mes dhjetëra shtëpive dhe disa lokaleve në lagjen Triangla-Maxhari, në komunën e Gazi Babës në Shkup. Në këtë hapësirë, pranë rrugës kryesore “Blagoja Stefkovski”, janë hedhur mbeturina të amvisërisë, goma të vjetra, mobilie, shtretër, dyshekë dhe mbetje ndërtimore.

Sipas banorëve të zonës, të cilët janë ankuar përmes redaksisë së “Fokusit”, deponia krijohet nga një numër i vogël qytetarësh të papërgjegjshëm që jetojnë në afërsi dhe e shfrytëzojnë parcelën e zbrazët për t’u larguar nga mbeturinat dhe mobiliet e panevojshme.

Fotografitë dhe pamjet nga terreni tregojnë se në hapësirë janë grumbulluar qese me mbeturina, goma të vjetra, shtretër, dyshekë dhe lloje të tjera të mbetjeve, duke e kthyer parcelën mes shtëpive në një deponi të improvizuar.

Banorët thonë se ndihen të pafuqishëm për ta zgjidhur problemin, për dy arsye. Së pari, përpjekjet e tyre për t’i bindur personat që hedhin mbeturina të ndalojnë këtë praktikë, sipas tyre, janë pritur me reagime negative, madje edhe kërcënuese.

Së dyti, edhe pse së fundmi janë organizuar dhe kanë nënshkruar një peticion për pastrimin e hapësirës, nga autoritetet e pushtetit lokal kanë marrë përgjigjen se mundësitë e tyre janë të kufizuara, pasi bëhet fjalë për një parcelë private.

Sipas të dhënave të Kadastrës së Patundshmërive, hapësira ku nuk ka objekt ndërtimor përbëhet nga disa parcela kadastrale, të cilat janë në bashkëpronësi të dy personave fizikë dhe shtetit.

Problemi i hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara është bërë sërish aktual në Shkup. Ditëve të fundit, banorë, kryesisht nga komuna e Aerodromit, janë fotografuar duke hedhur mbeturina në mënyrë të parregullt, ndërsa ndaj tyre janë shqiptuar edhe gjoba.

Ndërkohë, disa komuna të Shkupit kanë apeluar që mbeturinat të hidhen vetëm në hapësirat e përcaktuara, veçanërisht mbeturinat e vëllimshme, si mobiliet dhe pajisjet e vjetra.

Për këtë qëllim, komuna e Gazi Babës ditëve të fundit njoftoi se ka vendosur kontejnerë në tri lokacione, në përpjekje për të mundësuar hedhjen e duhur të mbeturinave.

Megjithatë, banorët e Triangla-Maџarit vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për hapësirën që po shndërrohet në deponi mes shtëpive të tyre, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër