Ministri Agon Ferati priti Sh.S. Nicole Varns: Fokus te “25 vite dhe përtej”, modernizimi i Ministrisë dhe bashkëpunimi me SHBA-në

Nga Xh M
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 korrik Zhurnal.mk – Ministri Agon Ferati sot priti në takim ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Sh. S. znj. Nicole Varns.

Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Ministrinë, e cila po punon në përgatitjen e Planit Vjetor, riformatimin strukturor dhe modernizimin institucional.

Në takim u diskutua edhe për konceptin “25 vite dhe përtej”, në kuadër të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, si një platformë që synon të hapë një qasje të re ndaj bashkëjetesës, gjithëpërfshirjes dhe ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve.

Ministri theksoi se qëllimi i Ministrisë është i qartë: ndërtimi i një institucioni funksional, gjithëpërfshirës dhe më afër qytetarit.

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin dhe demokracinë, por edhe për forcimin e institucioneve që u shërbejnë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe të përgjegjshme”, theksoi ministri.

Gjatë takimit u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit me SHBA-në si partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në proceset që lidhen me institucionet gjithëpërfshirëse, besimin ndërmjet komuniteteve dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër