Ministri Ferati priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja

Nga Xh M
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 Korrik Zhurnal.mk – Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Agon Ferati priti në takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Florian Qehaja.

Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, zhvillimet aktuale dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në takim u vlerësua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës gëzojnë raporte të shkëlqyera fqinjësore dhe partneritet të ngushtë, ndërsa u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit konkret në projekte që synojnë afrimin e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha bashkësive etnike.

Dy bashkëbiseduesit u dakorduan se të rinjtë përbëjnë urën më të fortë për ndërtimin e besimit, mirëkuptimit dhe një të ardhmeje të përbashkët në rajon.

Ministri Ferati prezantoi prioritetet dhe planet e Ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive për periudhën e ardhshme, me fokus në promovimin e dialogut ndërkulturor, forcimin e kohezionit shoqëror dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua programit “25 vite e përtej”, i cili realizohet në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në këtë drejtim u shkëmbyen mendime për aktivitetet e planifikuara dhe për rëndësinë e përfshirjes së institucioneve, partnerëve rajonalë dhe të rinjve në promovimin e vlerave të dialogut, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Për fund, shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë, me qëllim realizimin e nismave të përbashkëta që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha bashkësive etnike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër