Ministria e Jashtme e Kinës: Çështja e armëve bërthamore nuk është diçka që Japonia mund ta diskutojë sipas dëshirës

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pekin, 1 tetor Zhurnal.mk – Duke komentuar deklaratat e fundit të ministrit japonez të mbrojtjes lidhur me armët bërthamore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, deklaroi të mërkurën se zotërimi i armëve bërthamore nuk është një temë që i lihet në dorë gjykimit të Japonisë për ta diskutuar apo jo. Ai tha se Japonia, si një shtet pa armë bërthamore, që është palë në Traktatin për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), ka një detyrim të pashmangshëm ligjor ndërkombëtar për të mos pranuar, prodhuar, zotëruar apo përhapur armë bërthamore; nuk ka vend për negociata lidhur me këtë çështje.

Sipas raportimeve, më 28 shtator, ministri japonez i mbrojtjes Koizumi Shinjiro u shpreh se gjatë rishikimit të tre dokumenteve të sigurisë së Japonisë, nuk duhet të përjashtohet diskutimi mbi zotërimin e armëve bërthamore dhe nëndetëseve bërthamore. Ai tha se diskutimi duhet të zhvillohet pa tabu dhe pa një përfundim të paracaktuar.

Guo Jiakun vuri në dukje se kryeministrja japoneze Sanae Takaichi kishte rikonfirmuar në shkurt të këtij viti respektimin e “tre parimeve jobërthamore”, ndërsa përfaqësuesi japonez në konferencën e rishikimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore në maj kishte konfirmuar disa herë se ky qëndrim nuk do të ndryshonte.

Guo tha se diskutimi pa tabu mbi armët bërthamore dhe nëndetëset bërthamore, përbën një provokim serioz dhe një shkelje të hapur ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore, si edhe bie ndesh me “tre parimet jobërthamore” që Japonia deklaron se respekton, duke treguar përsëri ambiciet e forcave të krahut të djathtë të Japonisë për të zotëruar armë bërthamore.

Vitet e fundit, Japonia ka përshpejtuar vazhdimisht procesin e “rimilitarizimit”, duke synuar të braktisë “tre parimet jobërthamore”, të forcojë të ashtuquajturin mekanizëm të “parandalimit të zgjeruar”, të mundësojë vendosjen e armëve bërthamore në Japoni dhe të zbusë gradualisht kufizimet në fushën bërthamore, duke sfiduar vazhdimisht vijën e kuqe të komunitetit ndërkombëtar.

Guo Jiakun theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i kërkojë Japonisë të respektojë “tre parimet jobërthamore”, të përmbushë me zell detyrimet e saj sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, të heqë dorë plotësisht nga përpjekjet për “rimilitarizim” dhe nga përpjekjet për të zotëruar armë bërthamore, si edhe t`u përgjigjet seriozisht shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër