Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka reaguar pas aludimeve që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale, ku emri i saj është përmendur në lidhje me disa video intime të shpërndara online.
Përmes një postimi në Instagram, Gaçe i ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar si të pavërteta dhe shpifëse. Ajo ka theksuar se bashkëpunimet e saj me autorë dhe persona të ndryshëm të industrisë muzikore kanë qenë marrëdhënie profesionale dhe, sipas saj, nuk mund të përdoren si bazë për të sajuar histori rreth jetës së saj private.
“Dua të jem e qartë: Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë”, shkruan këngëtarja.
Gaçe ka kërkuar që emri dhe dinjiteti i saj të mos përdoren për të nxitur thashetheme, ndërsa ka deklaruar se nuk merr përsipër të gjykojë jetën private të personave të tjerë të përfshirë në diskutimet e ditëve të fundit.
“Dinjiteti i askujt nuk duhet të bëhet objekt përbaltjeje apo argëtimi publik. Dinjitetin tim e kam shumë të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd ta përdhosë”, shprehet ajo.
Këngëtarja ka shprehur gjithashtu mbështetje për vajzat dhe gratë që përballen me shpifje, poshtërim apo cenim të privatësisë.
Në fund të reagimit, Gaçe paralajmëron se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj pretendimeve që, sipas saj, cenojnë emrin dhe dinjitetin e saj.
“Nuk do të toleroj përdorimin e emrit tim në histori të sajuara. Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë. Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur”, përfundon ajo.
