Ministrja Energjetikës, Bozhinovska: Tranzicioni energjetik ofron mundësi për rritje ekonomike dhe investime të reja

Nga D V
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot mori pjesë në ngjarjen “IFC Day in North Macedonia”, të organizuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC). Ky tubim, i cili për herë të parë mbahet në vend në partneritet me institucionet shtetërore, i kushtohet perspektivave të tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të prodhimit për eksport.

Bozhinovska ishte pjesë e panelit të diskutimit të fokusuar në reformat energjetike, së bashku me përfaqësues të Bankës Botërore, MEPSO dhe sektorit privat. Gjatë fjalës së saj, ajo vuri theks të veçantë mbi rregullativën e re ligjore të miratuar gjatë vitit 2025.

“Po krijojmë një kornizë ligjore për një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Ligji i ri për energjinë, i miratuar në vitin 2025, e harmonizon Maqedoninë me Paketën e Energjisë së Pastër të Bashkimit Evropian dhe vendos një bazë më të fortë për zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, sistemet e ruajtjes së energjisë, tregjet ditë‑për‑ditë, pjesëmarrjen më të madhe të konsumatorëve, planifikimin në kushte emergjente dhe planifikimin dhjetëvjeçar të rrjetit. Veçanërisht e rëndësishme është se ligji vendos rregulla më të qarta për lidhjen me rrjetin elektroenergjetik dhe e trajton ruajtjen e energjisë si veprimtari të rregulluar më vete, gjë që është thelbësore nëse duam që burimet e rinovueshme të forcojnë, e jo të rrezikojnë sigurinë e furnizimit”, theksoi Bozhinovska.

Ministrja shtoi se është në fazë përfundimtare edhe miratimi i Paketës për integrimin e tregjeve energjetike, e harmonizuar me BE‑në, pas së cilës do të vijë verifikimi nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe Komisioni Evropian.

Sa i përket lidhjes rajonale, Bozhinovska prezantoi aktivitetet e operatorit vendas MEMO, duke theksuar se synimi është që tregu maqedonas të integrohet më efikas në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë elektrike, sepse integrimi më i thellë i tregut nënkupton më shumë likuiditet, mundësi më të mira për menaxhimin e rreziqeve dhe besim më të madh tek investitorët.

Ministria e Energjetikës, përmes bashkëpunimit të ngushtë me faktorët vendas dhe ndërkombëtarë, mbetet e fokusuar në zbatimin e reformave që duhet të sigurojnë stabilitet energjetik afatgjatë për shtetin. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër