Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Brendshme, Oltjon Muzaka paraqiti sot para komisionit të Ligjeve qëndrimin e Këshillit të Ministrave në raport me projektligjin për ndarjen e re territoriale.
Muzaka theksoi se nuk po ndryshohet harta territoriale thjesht për hir të një harte, por po krijohen kushtet për një pushtet vendor me më shumë kapacitete, më funksional dhe më të qëndrueshëm.
Sipas tij, ndarja e re territoriale ruan gjithashtu identitetin e komuniteteve dhe aksesin e qytetarëve në shërbime.
“Bashki më të forta dhe jo më të largta, administratë më profesionale me shërbimin më pranë qytetarëve. Ky duhet të jetë dhe standardi me të cilin do të matet suksesi i reformës pas vitit 2027”, u shpreh ai.
Muzaka theksoi se nuk bëhet fjalë thjesht për një ndryshim të hartës administrative-territoriale të vendit, por synohet një hap i mëtejshëm në reformimin e qeverisjes vendore.
“Objektivi është shumë konkret, duhen bashki më të forta dhe me më shumë kapacitete për të ushtruar funksionet e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët”, shtoi zv/ministri.
Reforma, sipas tij, përcakton kalimin nga 61 bashki që ka aktualisht në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa ruhen të 12 qarqet.
Konkretisht, zv/ministri bëri të ditur se 28 bashki ekzistuese konsolidohen në 13 bashki dhe nuk krijohen bashki të reja përmes ndarjes së bashkive ekzistuese.
“Kjo reformë nuk është lexuar vetëm përmes numrit të bashkive, sepse ndryshimi që propozojmë shkojnë përtej numrit të kufijve të bashkive. Bashkia mbetet njësia bazë e qeverisjes vendore dhe reforma synon të ruajë identitetin, përfaqësimin dhe lidhjen e komunitetin me strukturat e bashkisë duke garantuar më shumë kapacitete në qendër të bashkisë”, u shpreh Muzaka.
Zv/ministri theksoi po ashtu se miratimi i këtij projektligji nuk është fundi i reformës, pasi duhet përshtatur edhe ligji për vetëqeverisjen vendore, duke përcaktuar qartë statusin dhe funksionet e qytetit, si dhe raportin ndërmjet bashkisë, qytetit dhe njësive administrative.
“Po ashtu duhet përcaktuar mënyra e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse si dhe organizimi administrativ i bashkive me më shumë se një qytet”, shtoi ai.
Ndërkohë Muzaka bëri të ditur se organet e dala nga zgjedhjet vendore të vitit 2023 do të vazhdojnë të funksionojnë sipas ndarjes aktuale deri në konstituimin e organeve që do të dalin nga zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Zgjedhjet e vitit 2027 do të zhvillohen mbi bazën e konfigurimit të ri territorial. Kjo periudhë duhet të përdoret me shumë kujdes. Duhet të përgatisim kalimin e administratës, aseteve dhe pronave, kontratave, dokumentacionit dhe arkivave, sistemit të informacionit, buxheteve, detyrave financiare dhe proceseve të planifikimit, pa cenuar në asnjë moment vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët”, u shpreh zv/ministri i Brendshëm.
