Ndërron jetë Bahrije Mustafa, bashkëshortja e veprimtarit Xhemajl Mustafa

Nga D. V.
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 04 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka ndërruar jetë Bahrije Mustafa, bashkëshortja e veprimtarit të njohur Xhemajl Mustafa dhe nëna e Besiana Mustafa.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Abdixhiku e përshkroi Bahrije Mustafën si një grua të rrallë, e cila përballoi me dinjitet dhe forcë humbjen e bashkëshortit të saj, duke mbetur përherë ruajtëse e kujtimit dhe veprës së tij.

“Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë. Jeta i kishte ngarkuar mbi supe peshën e një humbjeje të madhe, por ajo kishte ditur ta shndërronte dhimbjen në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen dhe vendin. Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj, veprimtarit tonë të madh Xhemajl Mustafa”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai theksoi se me ndarjen nga jeta të Bahrije Mustafës, largohet edhe një pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive, duke kujtuar pjesëmarrjen e saj të vazhdueshme në përvjetorët kushtuar Xhemajl Mustafës.

“Çdo takim me të ishte një kujtim i gjallë i qëndresës, besnikërisë dhe fisnikërisë. Edhe kur vitet e kishin lodhur, ajo nuk reshti së ruajturi me krenari kujtimin e Xhemajlit dhe vlerat për të cilat ai jetoi”, u shpreh ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër