Shkup, 8 mars – Java e kaluar u mbyll me një samit të rëndësishëm në Londër për çështjen e Ukrainës, ku dolën në pah dallimet midis SHBA-ve dhe aleatëve evropianë për arritjen e marrëveshjes për përfundimin e luftës. Ditë më parë, takimi mes presidentëve Trump dhe Zelenskit shtoi peshën e këtyre diskutimeve.
Në këtë kontekst, qëndrimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili shprehu përkrahje të qartë për politikat e Trump, ka ngjallur debat mbi orientimin strategjik të vendit. Në këtë temë Emir Hasanoviç thekson se vendi duhet ta vlerësojë këtë situatë me shumë vëmendje dhe të balancojë, duke marrë parasysh partneritetin strategjik me SHBA-të, të cilat kanë luajtur rol instrumental në themelimin e postulateve të këtij shteti multietnik.
“Unë e shikoj si një sinjal pozitiv që e kemi atë relacion momentalisht me administratën e presidentit Donald Trump, por duhet të jemi edhe mirënjohës për gjithë atë që e ka bërë unioni evropian brenda shtetit tonë, reformat, gjithë mbështetjen që na e ka dhënë për zhvillimin e shtetit dhe duhet ta luajmë rolin balancues shumë me vëmendje. Nuk besoj që momentalisht kemi një qëndrim të forte për njërën apo tjetrën palë por sinjalet tregojnë se ne anojmë pak më shumë kah administrate e Donald Trumpit”, u shpreh ekspert i sigurisë Emir Hasanoviç.
Hasanoviç, Evropa e Ballkani të zgjohen nga gjumi
Është koha që Evropa dhe Ballkani të zgjohen nga gjumi dhe liderët e Ballkanit të merren me politikat e brendshme, duke manifestuar pjekuri sepse askush në Evropë më nuk ka durim, dëshirë, resurse dhe kohë të merret me sëmundjet e sistemeve tona, shton më tej Hasanoviç.
“Shpresoj që aktorët politik brenda rajonit do ta vlerësojnë këtë moment si moment që është një mundësi e fundit për një reformë jo vetëm sistemike por edhe një reformë të Mindset-it të qytetarëve se si duhet ta perceptojmë më së pari shtetin, si duhet ta perceptojmë rajonin, si duhet ti perceptojmë çasjet që duhet ti kemi për të ardhmen dhe si duhet ta modifikojmë sistemin dhe mendimin tone për relaizimin e reformave të cilat do të ndikojnë në jetën tonë”, theksoi Hasanoviç.
Në fokus të samitit special të BE-së në Bruksel, ku morri pjesë edhe Zelensky, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen paraqiti planin për riarmatim me vlerë 800 miliardë eurosh, ndërsa kjo nënkupton edhe armatosjen e Ukrainës.
Sipas paralajmërimeve vazhdon diplomacia në linjën Uashington-Kiev dhe me shumë gjasa gjatë javës së ardhshme është e mundur të nënshkruhet marrëveshja për mineralet e rralla. Për Poloninë, kjo është një shpresë se paqja është e realizueshme.

