Ndryshimet kushtetuese – pas zgjedhjeve pritet të “këndohet tjetër këngë”!

nga D. V.

Shkup, 7 gusht – Qeveria aktuale kishte marrë për detyrim që në gjashtë muajt e parë të qeverisjes të bëjë ndryshimet kushtetuese. Planet dhe garancitë ishin se brenda kësaj periudhe kohore do të intensifikohet komunikimi me qeverinë e re në Bullgari dhe do të kërkohjet zgjidhje adekuate e pranueshme për të dyja palët. Por, duket se kjo nuk ndodhi dhe tani pas ndodhive në Këshillin e Europës dhe në prag të zgjedhjeve lokale, këto bisedime thuajse janë ngrirë komplet, shkruan “Zhurnal.mk”.
Fatkeqësisht Maqedonia e Veriut nuk e ka luksin të mbetet në dhomën e pritjes së BE-së dhe sa më shumë që pret aq më shumë humb. Në Bruksel ka përkushtim dhe vëmendje të madhe për mbështetjen për gjetjen e zgjidhjes së këtij konteksti, por duket se as Shkupi dhe as Sofja zyrtare nuk janë të interesuar për zgjidhje. Aktaulisht ka ndodhur stagnim dhe bllokim i procesit të integrimit evropian të vendit dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese që synojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos ka bërë të njohur se edhe nëse vendi bën ndryshimet kushtetuese, askush nuk mund të garantojë se nuk do të përballet me pengesa të reja në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Politikanë bullgarë, mes tyre edhe ish ministri i jashtëm Georgiev kanë thënë se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kushti i parë, por jo i vetmi për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse nuk është bilateralizëm, por zbatim i konsensusit evropian.
Këto deklarata nuk janë asnjë garanci për VMRO-DPMNE-së se gjërat mund të shkojnë mirë edhe nëse bëhen ndryshimet Kushtetuese, prandaj tani nuk flitet më për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e qeverisë është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta.
Kryeministri Mickoski vazhdimisht insiston për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj thotë se do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.
Kushti kryesor për momentin nga BE-ja është që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, që do të thotë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nëse dëshiron të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Në Bashkimin Evropian ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit dhe Brukseli kërkon përshpejtim të procesit, megjithatë nuk ka ndryshim të kushteve dhe i gjithë procesi mbetet i bazuar në merita.
Veçanërisht përmes Planit të Rritjes, BE-ja po përballet me një lloj presioni të politikanëve nga Ballkani Perëndimor. Shqipëria ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe tani, pas ndarjes, Shqipëria ka bërë një përparim të mirë. Por, në këtë rrugë Maqedonia e Veriut po ngec plotësisht. Brukseli zyrtar është shumë i ë përkushtuar që të sjellë të gjithë rajonin në Bashkimin Evropian, por këmbëngul në sistemin e meritave.
Qeveriatërt kanë vazhduar të këmbëngulin se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme lokale nuk do të ndikojë asgjë përderisa Bullgaria vazhdon me këtë avaz. Aktualisht në Maqedoninë e Veriut presin që Bullgaria të përmbush të drejtat e pakicave, të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), dhe presin qartësi më të madhe në dokumentet evropiane në mënyrë që mos të ndodhin pakënaqësi si herën e kaluar.
Pas Raportit për Maqedoninë e Veriut, i cili kaloi në Komitetin e Punëve të Jashtme me disa referenca për njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, nga BE-ja përsëritën se hapat e ardhshëm duhet të ndërmerren nga Maqedonia e Veriut, përkatësisht të miratohen ndryshimet kushtetuese. Mucunski thotë se qeveria aktuale është e kujdesshme në marrjen e vendimeve që mund të kenë pasoja të gjera. Përveç kësaj, thotë ai, për ne si vend është thelbësore që rruga drejt anëtarësimit të plotë të jetë e parashikueshme.
Gjatë ditëve në vijim pritet të bëhet e ditur data e zgjedhjeve lokale, dhe siç dihet, gjatë kësaj periudhe thuajse ka heshtje të plotë në çdo lloj aktiviteti politik. Por, qeveria ka njoftuar disa herë se nuk do të kenë ndonjë ndryshim në qëndrimet e kësaj politike shtetërore në lidhje me ndryshimet kushtetuese edhe pas zgjedhjeve lokale.
Presioni ndërkombëtar pritet të rritet pas zgjedhjeve lokale në vjeshtë sepse duket që edhe ndërkombëtarët fillimisht duan të shohin se cilat do të jenë rezultatet nga zgjedhjet, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More