Ndryshimet në Kodin zgjedhor mbeten të bllokuara pavarësisht kritikave të Brukselit: Filipçe zyrtarisht refuzon takimin me Shasivarin

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor Zhurnal.mk – Miratimi i Kodit Zgjedhor ka ngecur në vend dhe vështirë se do të ketë lëvizje, pavarësisht kritikave të paraqitura në Raportin e para dy ditëve për përparimin e Maqedonisë në procesin e integrimit evropian. Bllokimi i punës së grupit ndërpartiak dhe i ndryshimeve në Kuvendin e Maqedonisë, me gjasë, do të vazhdojë edhe më tej, pasi nuk ka asnjë sinjal për arritjen e një kompromisi të mundshëm.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, partia opozitare e të cilit bojkoton punën e grupit të punës dhe me dhjetë mijë amendamente bllokon miratimin e ndryshimeve, ditëve të fundit edhe zyrtarisht e ka refuzuar ofertën për takim të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. Takimi ishte propozuar me qëllim gjetjen e një mënyre për arritjen e konsensusit.

– Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi ftesën për një takim konsultativ lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ministria e Drejtësisë e merr në dijeni këtë vendim dhe e respekton si qëndrim politik të partisë. Megjithatë, konsiderojmë se dialogu politik është i domosdoshëm për arritjen e konsensusit rreth rregullave zgjedhore. Nuk mund të pritet konsensus nëse paraprakisht refuzohet mundësia për bisedime dhe harmonizimin e qëndrimeve – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë për gazetën “Veçer”.

Dihet se LSDM-ja është kundër ndryshimeve të propozuara në Kodin Zgjedhor, kryesisht për shkak të votimit elektronik të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Filipçe vazhdimisht pretendon se kjo hap mundësi për keqpërdorime të ndryshme, pasi nuk ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm për verifikimin e identitetit të votuesve, duke krijuar rrezik për votim të pakontrolluar dhe manipulime të mundshme zgjedhore. Por, partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila qëndron pas këtij propozimi të përfshirë në të gjitha ndryshimet e propozuara, këmbëngul që ai të mbetet pjesë e zgjidhjes ligjore që duhet të vihet në votim.

Në Raportin e Komisionit Evropian theksohet se Kodi Zgjedhor, i cili vazhdon të jetë në fuqi, përmban shumë mangësi dhe paqartësi, si dhe se nuk është shënuar përparim në adresimin e rekomandimeve kryesore të mbetura të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Kërkohet garantimi i kushteve të drejta dhe transparente për fushatë, me qasje të barabartë në media, mbikëqyrje të fushatës online, e cila aktualisht mungon, rishikim të rregullave për reklamimin e paguar politik dhe forcim të sanksioneve për shkeljet zgjedhore.

Nga LSDM-ja, për gazetën “Veçer” deklaruan se nuk kanë problem të votojnë për përfshirjen e rekomandimeve të tilla të OSBE/ODIHR-it.

– Gjithçka që është rekomandim i OSBE/ODIHR-it, ne do ta mbështesim që nesër në Kuvend. Por, për gjithçka tjetër që është jashtë këtyre rekomandimeve dhe që përfshihet në ndryshimet e propozuara, nuk do të votojmë – deklaroi Oliver Spasovski, koordinator i grupit parlamentar të partisë.

Nga Ministria e Drejtësisë, për gazetën “Veçer” njoftuan se mbeten të përkushtuar ndaj një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës.

– Në këtë proces, të gjitha subjektet politike do të kenë mundësi t’i paraqesin argumentet dhe propozimet e tyre. Për të gjitha çështjet kontestuese duhet të diskutohet mbi bazën e argumenteve, standardeve evropiane dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Qëllimi ynë nuk është t’i bëhet qejfi ndonjë partie politike, por të ndërtohet një Kod Zgjedhor që do të garantojë zgjedhje të drejta, demokratike dhe transparente, si dhe mbrojtje të barabartë të votës së çdo qytetari. Dera për bisedime mbetet e hapur. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë konsultimet, ndërsa përgjegjësia për pjesëmarrje në proces i takon secilit subjekt politik veç e veç – thuhet në deklaratën e tyre.

Megjithatë, sipas informacioneve jozyrtare, janë të vogla gjasat që në të ardhmen e afërt të caktohet një takim i ri i grupit të punës për të diskutuar se si të veprohet në një situatë ku socialdemokratët opozitarë dhe partia në pushtet nuk janë të gatshëm t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre.

Në korrik të këtij viti, Maqedonia humbi 4.2 milionë euro nga Bashkimi Evropian për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat janë paraparë në Agjendën e Reformave. (B. Gj.)

https://www.vecer.press/promenite-vo-izborniot-zakonik-nikako-da-se-deblokiraat-i-pokraj-kritikite-na-brisel-filipche-i-oficzijalno-odbi-sredba-so-shasivari-konsenzus-nitu-na-povidok/

artikuj të ndërlidhura