Gostivar, 4 tetor Zhurnal.mk – Deri në dhjetor të vitit 2023, sipas tenderit të shpallur, duhej të përfundonte rikonstruktimi i stadiumit të futbollit në fshatin Çegran të Gostivarit. Por, gati tre vjet më vonë, fusha ende nuk ka as bar, ndërsa infrastruktura sportive vazhdon të jetë jashtë funksionit.
Për banorët e këtij fshati, fakti që stadiumi vazhdon të jetë i rrënuar, në vend që të ishte rikonstruktuar, përbën një zhgënjim të madh.
“Faleminderit Zotit, stadiumi është i nevojshëm. Çdo gjë e re që mund të bëhet është e mirëseardhur, por stadiumi, aq sa mund të shoh, është në gjendje katastrofale. Duhet të rinovohet dhe të trajtohet pak më seriozisht”, shprehet një banor.
“Se kush i bën këto punë dhe si i bën, as Zoti nuk e di. Dikush e ka marrë tenderin dhe gjithçka ka mbetur ashtu siç është. Tani Çegrani e shfrytëzon stadiumin në Gostivar. Falënderojmë ata që na e kanë mundësuar këtë”, thotë një tjetër banor.
Nga Qendra për Komunikime Qytetare, e cila ka analizuar këtë prokurim publik, bëjnë të ditur se Agjencia për Rini dhe Sport në mars të vitit 2023 kishte lidhur kontratë me kompaninë zbatuese në vlerë prej rreth 112 mijë eurosh, ndërsa deri më tani janë paguar rreth 70 mijë euro.
Në Sistemin Elektronik për Prokurime Publike nuk janë gjetur anekse të kontratës. Janë evidentuar dokumente nga një kompani mbikëqyrëse, e cila pretendon se punimet në projekt janë realizuar, ndërsa një mbikëqyrje e dytë, në vitin 2025, ka konstatuar se në terren nuk ka pasur aktivitete ndërtimore.
“Rasti i Çegranit është shembull i qartë i dobësive në kontrollin e zbatimit të kontratave të prokurimit publik. Pavarësisht ekzistimit të afateve të përcaktuara qartë, mbikëqyrjes dhe gjobave kontraktuale për vonesa, kontrata ka skaduar, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është paguar, ndërsa stadiumi nuk është vënë në funksion. Mungesa e një përgjigjeje të qartë nëse janë ndërmarrë masa për mosrespektimin e kontratës ngre pikëpyetje nëse mekanizmat ekzistues të kontrollit sigurojnë vërtet përgjegjësi për zbatimin e prokurimeve publike dhe shpenzimin e parave publike”, theksojnë nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Nga Ministria e Sportit, si pasardhëse juridike e Agjencisë për Rini dhe Sport, kanë reaguar se, bazuar në dokumentacionin përkatës, kanë ndërmarrë masa juridike. Sipas përgjigjes së tyre për televizionin Telma, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga ana e kompanisë zbatuese, kontrata është ndërprerë më 10 nëntor të vitit 2025.
“Ministria e ka arkëtuar garancinë bankare për realizimin cilësor dhe në kohë të kontratës, në lartësi prej 5 për qind të vlerës së saj. Sa u përket raporteve të dorëzuara nga organet mbikëqyrëse, përmbajtja e tyre ka të bëjë me periudhat gjatë të cilave është kryer mbikëqyrja dhe pasqyron gjendjen reale në terren gjatë kohës kur janë realizuar kontrollet”, njoftojnë nga Ministria e Sportit.
Nga kjo ministri shtojnë se do të vazhdojnë përpjekjet për krijimin e kushteve të nevojshme për realizimin e projektit, me qëllim që stadiumi i futbollit në Çegran të përfundojë dhe të vihet në funksion.
Megjithatë, pavarësisht kontratës, pagesave të kryera dhe masave juridike të ndërmarra, banorët e Çegranit ende presin që stadiumi i tyre të rikonstruktohet dhe të jetësohet si një hapësirë sportive, në vend që të mbetet një objekt i braktisur.
