Kush duhet ta zbardhë skandalin me blerjen e helikopterëve?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 tetor Zhurnal.mk – Prej disa ditësh, VMRO-DPMNE dhe LSDM po shkëmbejnë akuza lidhur me atë se kush duhet ta zbardhë skandalin e pretenduar me blerjen e helikopterëve gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ishte Slavjanka Petrovska.

Përplasjet politike u intensifikuan pasi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ngriti publikisht dyshime nëse përfshirja e Petrovskës në platformën që kërkon reforma brenda LSDM-së lidhet me përpjekjet e saj për t’u mbrojtur nga një skandal i mundshëm rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e helikopterëve, e cila, sipas pretendimeve, ishte 37 milionë euro më e shtrenjtë se vendimi fillestar i komisionit.

Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, i kërkojnë Filipçes të paraqesë prova konkrete për akuzat e tij dhe të sqarojë se çfarë di për këtë rast.

“Që kur ka dijeni për këtë skandal të lidhur me Petrovskën dhe a ka ndërmend të dorëzojë prova në Prokurori, apo edhe kjo do të jetë vetëm një përpjekje për të hutuar opinionin publik?”, pyeti deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.

Nga ana tjetër, LSDM-ja kundërpërgjigjet duke theksuar se dokumentacioni dhe provat për këtë rast gjenden në institucionet që aktualisht drejtohen nga kuadrot e partisë në pushtet, duke i akuzuar ata se, pavarësisht kallëzimeve të vazhdueshme, nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete.

“Dallimi në çmimin e helikopterëve gjendet në Ministrinë e Mbrojtjes. Atje keni ministër. Keni prokuror, keni polici. Kur ta kontrolloni këtë rast, kontrolloni edhe tenderin për hekurudhën, 1,6 milionë për Qurkçievin, si dhe atë paradhënie për Platformën 2.0”, reagojnë nga LSDM-ja.

Në qendër të polemikave janë pretendimet për parregullsi në kontratën për furnizimin me helikopterë nga kompania italiane
Leonardo
, të destinuar për nevojat e Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Kontrata ishte lidhur gjatë mandatit të ish-ministres së Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila në atë kohë kishte deklaruar se procedura ishte plotësisht e rregullt dhe se vendimi ishte marrë nga një ekip profesional, bazuar në vlerësime dhe kritere të ekspertëve.

Përplasja mes dy partive ka hapur sërish debat mbi transparencën e prokurimeve publike në sektorin e mbrojtjes, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet kompetente do të ndërmarrin hapa konkretë për të sqaruar pretendimet për dallimin prej 37 milionë eurosh dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje gjatë procedurës së furnizimit me helikopterë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër