Në LSDM do të diskutohet për pjesëmarrjen e Sllavjanka Petrovskës në ngjarjen e “platformës së re demokratike”

Nga Xh M
1,702 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 korrik Zhurnal.mk – Organet dhe trupat e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) javën e ardhshme do të diskutojnë për pjesëmarrjen e deputetes së partisë dhe ish-ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, në aktivitetin me titull “Biseda për të ardhmen në 12:05”, ku më 1 korrik u promovua një “platformë e re demokratike”, me synimin për të ngritur nivelin e debatit shoqëror në vend.

Këtë e bëri të ditur sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i pyetur nga gazetarët nëse do të kërkojë përgjegjësi nga deputetja për pjesëmarrjen e saj në këtë platformë dhe nëse e ka pyetur se me çfarë është e pakënaqur brenda LSDM-së, shkruan 360 Stepeni.

Sipas informacioneve, Petrovska ishte ndër anëtarët e LSDM-së nga gjenerata të ndryshme, aktivistët, analistët, juristët dhe profesorët që ishin nënshkrues dhe pjesëmarrës në aktivitetin ku u promovua iniciativa. Gjatë muajve të fundit, deputetja ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj gjendjes në parti, duke theksuar se: “Nëse nuk ndryshojmë, do të zhdukemi.”

“Në lidhje me pyetjen konkrete, do të përgjigjem konkretisht – organet e partisë do të debatojnë për këtë gjatë javës së ardhshme”, tha Filipçe.

Më herët, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kreu i LSDM-së deklaroi se platforma paraqet një tjetër projekt politik të Hristijan Mickoskit, të cilin LSDM-ja e quan “ZNAM 2.0”, me qëllimin e vetëm, sipas tij, që të fragmentojë edhe më tej opozitën dhe ta dobësojë LSDM-në.

“Unë nuk do t’i komentoj projektet e Hristijan Mickoskit. Më vjen keq që një pjesë e shokëve hoqën dorë nga partia dhe ideologjia e tyre. Kjo është parë edhe më parë. I tillë ishte projekti ZNAM, i cili tashmë po dështon gradualisht. Organizatori është i njëjtë dhe financuesi është i njëjtë”, deklaroi Filipçe.

I pyetur nga gazetarët, të cilët vërejtën se në platformë marrin pjesë edhe gazetarë dhe analistë të njohur si kritikë të ashpër të pushtetit aktual, dhe pse ai mendon se kryeministri Mickoski ka arritur të ndikojë tek ata, si dhe nëse të gjithë ata që nuk mendojnë si ai dhe partia konsiderohen armiq, Filipçe u përgjigj se kjo nuk është aspak e vërtetë.

Ai tha se është i hapur për çdo debat dhe diskutim, por që ato duhet të zhvillohen brenda strukturave të partisë. Sipas tij, njerëzit që morën pjesë në atë aktivitet dhe u ulën në të njëjtën tryezë, mund të arrijnë vetëm një gjë – ta dobësojnë LSDM-në.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër