Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Në rajonin e Gostivarit dhe Tetovës vazhdojnë të operojnë rrjete dhe individë të cilët për t’u furnizuar me mjete financiare shënjestrojnë pronën e qytetarëve dhe të bizneseve. Sipas bilancit të fundit të publikuar nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, janë regjistruar dhjetëra raste të veprave penale kundër pasurisë, ku krahas vjedhjeve klasike figurojnë edhe përvetësime apo vjedhje të energjisë elektrike.
Në rajonin e Tetovës janë regjistruar gjithsej 46 vepra penale vjedhje dhe 10 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Sa i përket vjedhjeve të rënda, janë evidentuar 48 raste ndërsa në 36 raste të tjera është tentuar të kryhet kjo vepër penale. Përveç tyre janë regjistruar një tentativë për vjedhje, një grabitje, dy tentativa për grabitje, një vjedhje me grabitje, tre raste të përvetësimit dhe një rast i shfrytëzimit të paautorizuar , thonë nga policia e Tetovës.
Në Tetovë, nga gjithsej 46 vjedhje dhe tentativa për vjedhje janë zbardhur 23 raste me efikasitet prej 50 përqind. Nga 46 vjedhje të rënda janë zbardhur 10 raste apo 21 përqind. Edhe grabitja e vetme e regjistruar është zbardhur duke arritur efikasitet 100, njoftojnë nga policia.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në rajonin e Gostivarit janë regjistruar gjithsej 27 vepra penale të vjedhjes së zakonshme si dhe dy raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Sa i përket vjedhjeve të rënda, policia ka evidentuar 42 raste të kryera, ndërsa në shtatë raste të tjera ka mbetur vetëm tentativa.
Nga policia apelojnë tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në mbrojtjen e pronës së tyre dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë apo vepër penale. Bashkëpunimi me organet e rendit mbetet i rëndësishëm për parandalimin e vjedhjeve dhe identifikimin sa më të shpejtë të autorëve.

