Toshkovski: “Qytet i Sigurt” zgjerohe kamera mobile dhe kontrolle në pikat e zeza në gjithë Maqedoninë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme planifikon të vendosë kamera për matjen e shpejtësisë në automjetet policore, të cilat do të mund të detektojnë shkelje edhe gjatë lëvizjes. Këtë e paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se paralelisht do të sigurohen edhe kamera mobile për pikat kritike të komunikacionit.

Toshkovski sqaroi se analizat kanë treguar se vendosja e kamerave vetëm në lokacione të paracaktuara nuk do të sigurojë efekt të mjaftueshëm parandalues. Sipas tij, drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të zbulohen duke shkelur rregullat e komunikacionit në çdo lokacion.

Për këtë arsye, propozimi i ekspertëve është që automjetet ekzistuese policore të pajisen me kamera që do të mund të matin shpejtësinë gjatë lëvizjes. Për më tepër, në plan është edhe furnizimi me kamera mobile, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, ku më së shpeshti ndodhin aksidente trafiku me viktima dhe persona të lënduar rëndë.

Ministri paralajmëroi gjithashtu punë intensive për identifikimin e të gjitha pikave kritike të komunikacionit në Maqedoni, si në zonat urbane ashtu edhe në rrugët magjistrale dhe ato ekspres.

Duke iu referuar kritikave ndaj projektit “Qytet i Sigurt”, Toshkovski u bëri thirrje qytetarëve të kenë parasysh se gjatë 15 viteve të fundit në aksidente trafiku kanë humbur jetën më shumë se 2.000 persona.

Ai theksoi se aktivitetet nuk do të përfundojnë vetëm me vendosjen e kamerave, por do të vazhdojnë edhe në fusha të tjera që lidhen me përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

artikuj të ndërlidhura