Studeniçan, 21 shkurt – Komuna e Studeniçanit nuk është e kënaqur me mjetet e lëshuara nga Ministria e Arsimit për bllok-dotacione. Sipas vendimit, komuna ka fituar 245 milionë denarë, megjithatë kryetari Ejup Abazi thekson për Alsat që kjo shumë, realisht është më e lartë nëse llogaritë bëhen me formulën e re që ka hyrë në fuqi prej janarit të këtij viti. Sipas Abazit, mungojnë prej 1 deri në 2.5 milionë euro. Në vend që të lëshojnë për çdo nxënës të Studeniçanit nga 112 mijë euro, Ministria ka miratuar vendim të lëshohen nga 68 mijë euro.
“3.590 nxënës nëse e shumëzojmë me harxhimin për nxënës sipas kësaj formule, për kokë nxënësi, nga 112 mijë denarë diku përafërsisht i bie që të jetë 303 milionë denarë. Kjo është duke u bazuar në komponentin bazë”. 04:10 “Nëse i marrim parasysh të gjitha këto elemente të kësaj komponentes së kësaj variable, atëherë bllok dotacioni për komunën e Studeniçanit duhet të jetë, përafërsisht duhet të arrijë numrin 400 milionë denarë”, tha Ejup Abazi, Kryetar i Studeniçanit.
Nga Ministria e Arsimit, thonë se megjithatë Studeniçani krahasuar me vitin e kaluar ka marrë 18 milionë denarë më shumë, ndërsa mjetet janë ndarë sipas formulës së përcaktuar me metodologjinë e re. Gjithsej për këtë vit janë miratuar 18,58 miliardë denarë.
“Në rregullore saktë theksohet se si ndahen mjetet. Për zbatimin e formulës së re, MASH së bashku me UNICEF dhe ZMAI organizojnë trajnime për përfaqësuesit e komunave. Komuna e Studeniçanit është në grupin për trajnim që do të mbahet më 25 shkurt”, u shpreh Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Metodologjia e vjetër u ndryshua pasi sipas Ministrisë, 90% të mjeteve që i kanë marrë komunat nga bllok dotacionet, i kanë shfrytëzuar për paga dhe shpenzime të përgjithshme, ndërsa me ndryshimet e reja mbahet llogari edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së mësimit. Megjithatë nga Komuna e Studeniçanit thonë se me këto mjete nuk mbulohen shërbimet bazë e lëre më të ketë zhvillim.
