Nga 2 korriku, linjë e re ajrore Ankara–Shkup

Nga R.ZH
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një intervistë për TV Sitel deklaroi se gjatë takimeve të zhvilluara në kuadër të Forumit të Biznesit në Stamboll, me ministrat e Tregtisë dhe të Transportit të Turqisë është arritur marrëveshje për vendosjen e një linje të re ajrore nga 2 korriku, në relacionin Ankara–Shkup, si dhe për krijimin e një lidhjeje hekurudhore të transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve, përcjell zhurnal.mk.

Ai theksoi se shumë kompani turke kanë shprehur interes për të investuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, sipas tij, u reflektuan edhe në pritjen që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri kryeministrit Hristijan Mickoski.

“Ekziston një interes i madh nga kompanitë turke për të investuar në Maqedoni. Arsyeja është se Maqedonia ka marrëveshje për tregti të lirë me Bashkimin Evropian dhe një marrëveshje shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Turqia përballet me vështirësi në eksportin drejt BE-së dhe disa kompani janë të interesuara të investojnë pikërisht në Maqedoni. Gjithashtu, afërsia mes dy popujve dhe dy shteteve, si dhe lidhjet e mira infrastrukturore, janë faktorë shtesë. Turkish Airlines tashmë, përveç Shkupit, ka nisur fluturimet edhe drejt Ohrit, ndërsa nga 2 korriku kompania AJet do të fillojë fluturimet direkte nga Ankara në Shkup. Duhet të theksoj se kjo linjë do të hapet pa subvencione, që do të thotë se kompania nuk ka kërkuar fare mbështetje financiare. Mendoj se është një zhvillim shumë pozitiv. Së bashku me ministrin e Tregtisë dhe ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, ramë dakord edhe për krijimin e një lidhjeje hekurudhore për transport mallrash ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se një degë e Korridorit 10 fillon në Stamboll dhe përfaqëson rrugën më të shkurtër për transportin e mallrave nga Turqia drejt Evropës Qendrore”, deklaroi Nikolloski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër