Një vit pas zjarrit toksik në Trubarevë, impianti punon, qytetarët të revoltuar, aktakuzë ende nuk ka

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Në vend të përgjegjësisë për atë që u cilësua si ekologjocid në Trubarevë, impiantet ku ruhej mbetja e rrezikshme dhe ku shpërtheu zjarri katastrofik vazhdojnë të punojnë.

Vetëm disa ditë pas zjarrit, Prokuroria hapi hetim ndaj katër personave fizikë dhe një personi juridik për rrezikimin e mjedisit jetësor me mbetje.

Tre prej të dyshuarve përfunduan fillimisht në arrest shtëpiak, ndërsa më pas u vendosën edhe në paraburgim efektiv. U krye këqyrja në vendngjarje, MPB-ja paralajmëroi hetim të thellë dhe u sigurua dokumentacioni përkatës. Por edhe pas një viti, ende nuk ka vendim të prokurorisë publike, ndërsa të dyshuarit ndodhen në liri.

Nga Prokuroria Themelore Publike për televizionin TV24 shkurtimisht kanë deklaruar se bëhet fjalë për një hetim të plotë, i cili është në fazën përfundimtare.

“Hetimi është në fazën përfundimtare dhe së shpejti pritet të merret vendim nga prokuroria publike.”

Në zjarr u përfshinë bateri, akumulatorë dhe tonerë, ndërsa një re e dendur tymi të zi u përhap mbi një pjesë të madhe të Shkupit. Ajri u ndot në mënyrë ekstreme, ndërsa toka dhe ujërat nëntokësore u vunë përballë një rreziku të madh ndotjeje.

Por më të prekurit ishin banorët e lagjes përreth impiantit të mbetjeve. Një pjesë e madhe e tyre përfunduan në klinikat e pulmologjisë, ndërsa shumë prej tyre kanë hequr dorë nga bujqësia për shkak të frikës nga toka e ndotur.

Banorët janë të revoltuar që edhe pas një viti nuk ka aktakuzë dhe përgjegjësi, ndërsa impianti i mbetjeve, sipas tyre, vetëm disa javë pas zjarrit rifilloi punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Sipas hetimit, të dyshuarit në disa raste kanë lënë dhe hedhur mbetje dhe pjesë të pajisjeve elektronike, akumulatorë, bateri të përdorura dhe tonerë. Mbetjet e rrezikshme i kanë ruajtur në një parcelë kadastrale në Trubarevë, duke shkaktuar dëme të mëdha në cilësinë e tokës dhe ajrit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Rezultatet fillestare treguan se pas shpërthimit të zjarrit në Trubarevë, banorët e Shkupit kanë thithur edhe metale të rënda. Përqendrimi i kadmiumit në ajër ishte pothuajse 12 herë më i lartë se kufijtë maksimalë të lejuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër