Frustrimi i qytetarëve për procesin e ngecur të integrimit evropian është i madh

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Frustrimi i qytetarëve për procesin e ngecur të integrimit evropian është i madh, pasi në të kaluarën janë bërë shumë lëshime, përfshirë ndryshimin e flamurit dhe të emrit kushtetues të shtetit. Këtë mesazh e përcolli kryeministri Hristijan Mickoski nga samiti “Concordia” në Nju Jork, i cili po zhvillohet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por njëkohësisht do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe shtetërore.

Ndërkohë, kundërshtari i tij politik, Venko Filipçe, ka hedhur një sërë akuzash ndaj qeverisë. Sipas tij, delegacioni qeveritar ka një javë që qëndron në SHBA, ndërsa publiku nuk ka parë asnjë takim konkret, marrëveshje apo rezultat për Maqedoninë e Veriut.

Në kohën kur Shkupi po kërkon një zgjidhje për zhbllokimin e negociatave dhe përfshirjen e një përfaqësuesi të BE-së në bisedimet me Bullgarinë, komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se BE-ja duhet të përgatitet për anëtarët e rinj.

Ajo paralajmëroi se në fund të shtatorit Komisioni Evropian do të prezantojë ide se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për anëtarësimin e vendeve të reja.

Më herët, Kos u kishte dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Shkupit dhe Sofjes: qeveria maqedonase duhet të zbatojë atë që është rënë dakord, ndërsa pasi Maqedonia e Veriut të përmbushë ndryshimet kushtetuese, Bullgaria duhet të japë mbështetje për vazhdimin e procesit të integrimit.

Mesazhet nga Nju Jorku vijnë në prag të vizitës së Ursula von der Leyen në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, edhe pas bisedës së djeshme të Mickoskit me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nga LSDM-ja e cilësuan takimin si “diplomaci në korridor”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër