Paratë e rajonit shtohen: Investimet e akumuluara në vend arrijnë në mbi 145.9 milionë euro

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 tetor Zhurnal.mk – Investimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Shqipëri po rriten me ritme më të shpejta se totali i investimeve të huaja direkte.

Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, të analizuara nga “Scan Intel”, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, stoku i investimeve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi arriti në 916.3 milionë euro, nga 690.6 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej 32.7%.

Pesha e këtyre pesë vendeve në totalin e investimeve të huaja direkte në Shqipëri arriti në 4.97%, nga 4.32% në fund të qershorit 2025.

Kosova mbetet investitori kryesor i rajonit në Shqipëri, me një stok prej 667.3 milionë eurosh, ose 3.62% të totalit të investimeve të huaja. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet nga Kosova janë rritur me 37.6%. Vetëm ky shtet përfaqëson afro 73% të investimeve të pesë vendeve të rajonit.

Në vendin e dytë renditet Maqedonia e Veriut, me 145.9 milionë euro dhe një peshë prej 0.79% ndaj totalit. Investimet nga ky vend janë rritur me 22.1% në terma vjetorë.

Serbia renditet e treta, me 61.4 milionë euro, ose 0.33% të totalit, duke regjistruar një rritje prej 11.2%.

Ndërkohë, Bosnje Hercegovina numëron 30.8 milionë euro investime, me rritje 31.1%, ndërsa Mali i Zi arrin në 10.9 milionë euro, me rritje 45.3%. Pesha e tyre në total është përkatësisht 0.17% dhe 0.06%.

Në fund të qershorit 2026, stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte në Shqipëri arriti në 18.42 miliardë euro, me rritje vjetore prej 15.3%. Kështu, ndonëse vendet e rajonit vijojnë të kenë një peshë relativisht të vogël, prania e tyre në kapitalin e huaj të investuar në ekonominë shqiptare po forcohet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër