Bruksel, 21 tetor, Zhurnal.mk – Parlamenti Evropian ka miratuar rregulla të reja për të forcuar mbrojtjen e pasagjerëve, në rastet kur udhëtimet anulohen ose ndërpriten, duke lehtësuar procedurat për kthimin e parave dhe kërkimin e kompensimit, sipas “Reuters”.
Rregullat e reja u miratuan dje në mbrëmje me 652 vota pro, dy kundër dhe tetë abstenime.
Ato parashikojnë formularë të unifikuar për kërkesat për rimbursim dhe kompensim, të cilët do të jenë të disponueshëm në faqen e Komisionit Evropian, në të gjitha gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me pasagjerët që blejnë bileta avioni përmes agjencive turistike ose platformave të rezervimit në internet.
Në rast anulimi të fluturimit, ata do të kenë të drejtën e rimbursimit të plotë brenda 14 ditësh, duke përfshirë edhe tarifat e ndërmjetësimit.
Sipas procedurës së re, kompania ajrore duhet t’ia kalojë shumën agjencisë ose platformës brenda shtatë ditësh, ndërsa ndërmjetësi duhet t’ia kthejë paratë pasagjerit brenda shtatë ditëve të tjera.
Nëse ndërmjetësi nuk e kryen pagesën në afatin e caktuar, kompania ajrore duhet të ndërhyjë për të siguruar rimbursimin.
Agjencitë turistike dhe platformat e rezervimit do të kenë gjithashtu detyrimin t’i informojnë pasagjerët për mënyrën dhe afatet e kthimit të parave që në momentin e blerjes së biletës.
Rregullat e reja synojnë të lehtësojnë edhe paraqitjen e kërkesave për kompensim.
Pasagjerët do të mund të përdorin formularë të përbashkët për të kërkuar kthimin e parave ose kompensimin përkatës, në vend që të përballen me procedura të ndryshme nga një kompani transporti te tjetra.
Një tjetër ndryshim lidhet me personat me aftësi të kufizuara ose me vështirësi në lëvizje.
Kur shoqërimi është i nevojshëm, personi që i shoqëron do të mund të udhëtojë pa pagesë shtesë në avion, një e drejtë që ekziston tashmë edhe për disa forma të tjera transporti.
Përveç kësaj, autoritetet kombëtare do të kenë kompetenca më të gjera për të kontrolluar nëse kompanitë respektojnë të drejtat e pasagjerëve.
Ato do të mund të nisin kontrolle dhe hetime edhe pa pritur fillimisht një ankesë nga qytetarët.
Rregullat e reja mbulojnë të drejtat e pasagjerëve në transportin ajror, hekurudhor, detar dhe rrugor, si dhe në transportin në rrugët e brendshme ujore.
Megjithatë, ndryshimet duhet të marrin ende miratimin formal të Këshillit të Bashkimit Evropian përpara botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Sipas raportimeve, ato pritet të zbatohen nga 23 tetori 2027.
Miratimi vjen pas një procesi më të gjerë për forcimin e të drejtave të udhëtarëve në Evropë, me synimin për t’i bërë procedurat e rimbursimit më të qarta dhe për të garantuar zbatimin më të mirë të detyrimeve nga kompanitë e transportit.
