Peleshi pritet nga Braun-Pivet: Franca mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në BE

Nga D. V.
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Francë, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë u pritën nga Presidentja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet.

Një takim që konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, një miqësi e hershme që sot ndodhet në ditët e saj më të mira.

Peleshi vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën kulturore, arsimore dhe ekonomike, si dhe për rritjen e rolit të parlamenteve në mbështetje të procesit të integrimit europian.

Presidentja Braun-Pivet vlerësoi bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe progresin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Ajo dhe deputetët francezë, të pranishëm në takim, shprehën interes për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, zgjerimin e BE-së, rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, kulturor dhe rolin e diasporës shqiptare në Francë.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë, ndërsa reformat, veçanërisht reforma në drejtësi, po ndërtojnë një sistem të pavarur dhe të besueshëm. Kryetari Peleshi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe kontributin e Presidentes Braun-Pivet në forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.

Peleshi theksoi se Shqipërinë dhe Francën i lidh një miqësi historike dhe partneritet strategjik, si aleate të besueshme në NATO, dhe Shqipëria mbështet Ukrainën në mbrojtje të lirisë, integritetit territorial dhe vlerave demokratike.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Francë dhe bashkëpunimit në shërbim të integrimit europian dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë nga Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deputetët Hatixhe Konomi dhe Enno Bozdo, anëtarë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Francë, Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër