Pensionistët që punojnë të mos paguajnë katër vite sigurime, Manjani: Cenon qëndrueshmërinë financiare të skemës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale shqyrtoi sot nismën e deputetit të Partisë Demokratike, Igli Cara në lidhje me sigurimet shoqërore, me anë të të cilit kërkohet përjashtimi i pensionistëve të cilët punojnë ende, nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për një periudhë katërvjeçare.

Cara tha gjatë paraqitjes së projektligjit, se emigrimi i të rinjve ka ndikuar në rritjen e punësimit të personave në moshë pensioni, pasi kompanitë përballen me vështirësi për të zëvendësuar punonjësit që largohen.

Masa, sipas tij, synon të nxisë punësimin e kësaj kategorie, të formalizojë tregun e punës dhe të kufizojë abuzimet.

Sipas tij, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të punësuarve mbi 64 vjeç arriti në rreth 145 mijë persona.

Nga ana e saj, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani deklaroi se Qeveria nuk mbështet propozimin për përjashtimin e pensionistëve të punësuar nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për një periudhë katërvjeçare, me argumentin se një masë e tillë do të cenonte qëndrueshmërinë financiare të skemës dhe parimin e barazisë në trajtimin e kontribuesve.

Manjani theksoi se qeveria ndan objektivin për të nxitur vijimin e aktivitetit ekonomik të pensionistëve, por kundërshton mekanizmin e propozuar për sigurimet shoqërore.

“Ne duam të krijojmë kushte që pensionistët të vijojnë të kontribuojnë në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, duke vlerësuar eksperiencën, profesionalizmin dhe aftësitë që ata kanë ndërtuar gjatë gjithë jetës së tyre të punës”, tha Manjani.

Sipas saj, “sistemi i sigurimeve shoqërore ndërtohet mbi parimin kontributiv, pra kontributet paguhen mbi pagën e përfituar nga puna dhe jo mbi bazën e moshës, nevojës apo dëshirës së individit. Çdo vend pune krijon detyrimin për pagesën e kontributeve, sepse pikërisht janë këto kontribute që financojnë pensionet dhe garantojnë funksionimin e skemës në vijimësi”.

Manjani deklaroi se përjashtimi nga ky detyrim do të reduktonte të ardhurat e skemës dhe do të cenonte ekuilibrin e saj financiar. Një tjetër argument lidhet me mundësinë që një vendim i tillë të krijonte kërkesa të ngjashme nga kategori të tjera, duke vështirësuar administrimin e sistemit dhe duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë të kontribuesve.

Zëvendësministrja Manjani theksoi se çdo ndryshim në skemë duhet të marrë në konsideratë jo vetëm përfitimet e menjëhershme për një kategori qytetarësh, por edhe ndikimin në financimin e pensioneve dhe në qëndrueshmërinë e sistemit për brezat e ardhshëm.

Projektligji u rrëzua me shumicë votash kundër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër