Përbërja e re e kabinetit qeveritar është gati, propozimi dërgohet në Kuvend deri më 3 korrik

Nga R.ZH
1,309 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski ka finalizuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë. Propozimi me emrat e ministrave të rinj pritet t’i dorëzohet Kuvendit deri më 3 korrik, ku deputetët do të vendosin për miratimin e tij.

Rikonstruksioni përfshin ndryshime në shtatë ministri, me emërime të reja, rokada ndërmjet resorëve dhe ndryshime në strukturën e ekzekutivit. Sipas propozimit, shtohet një ministër pa portofol nga komuniteti rom, ndërsa shfuqizohet Ministria për Qeverisje të Mirë, kompetencat e së cilës do të kalojnë nën Kabinetin e Kryeministrit, shkruan Zhurnal.mk.

Pavarësisht ndryshimeve, përbërja e Qeverisë mbetet me 24 anëtarë – kryeministrin dhe 23 ministra.

Sipas propozimit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të saj, Sasho Klekovski propozohet ministër i Shëndetësisë, duke kaluar nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Gjoko Velkovski propozohet ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Ivan Stoilkoviç kalon në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Po ashtu, Exhjan Demir propozohet ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin e romëve.

Nga koalicioni VLEN, Jeton Shasivari propozohet ministër i Drejtësisë, Sedat Sulejmani ministër i Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Agon Ferati zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Në kuadër të Lëvizjes ZNAM, Borçe Serafimovski propozohet ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa Goran Minçev mbetet ministër i Administratës Publike.

Kryeministri Mickoski njoftoi gjithashtu se me këtë rikonstruksion shfuqizohet resori për Qeverisje të Mirë, i cili mbeti vakant pas dorëheqjes së ministrit Arben Fetai. Kompetencat e këtij dikasteri do të ushtrohen nga Kabineti i Kryeministrit.

Një tjetër ndryshim në përbërjen e shumicës qeverisëse është hyrja e Partisë Demokrate të Turqve (PDT) në koalicionin qeveritar. Sipas Mickoskit, kjo parti do të përfaqësohet në ekzekutiv me një ministër pa portofol.

Propozimi për rikonstruksionin e Qeverisë pritet të shqyrtohet dhe të votohet në Kuvend gjatë ditëve në vijim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër