Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, deklaroi se gjatë dy viteve të fundit është ndryshuar qasja ndaj zhvillimit lokal dhe rajonal, duke kaluar nga menaxhimi i pasojave drejt zgjidhjes së shkaqeve të problemeve me të cilat përballen komunat informon Tetovasot.
Duke prezantuar rezultatet e punës së Ministrisë, Perinski theksoi se investimet më të mëdha janë realizuar përmes ciklit investues për mbështetjen e komunave, ku në kuadër të dy thirrjeve publike janë miratuar gjithsej 1.116 projekte infrastrukturore me vlerë prej 18,4 miliardë denarësh.
“Kjo është paketa më e madhe investuese për komunat në historinë më të re të Maqedonisë. Këto nuk janë vetëm shifra, por rrugë të reja, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe çerdhe të rikonstruktuara, objekte publike me efikasitet energjetik dhe kushte më të mira jetese për qytetarët”, deklaroi Perinski.
Ai njoftoi se për herë të parë është krijuar një Qendër Burimore për mbështetjen e komunave, përmes së cilës është formuar një bazë ekspertësh, janë përgatitur udhëzues praktikë për administratën lokale dhe janë hartuar profile për secilën komunë në vend.
