Përplasje midis Rexhepit dhe Mickoskit me interpretimet e kushtetutës për gjuhët

Nga B.M
632 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Skopje, 26 Mars, Zhurnal.mk – Interpretimet midis disa politikanëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe maqedonasve se a është vetëm gjuha maqedonase zyrtare në vend sipas kushtetutës, apo është edhe gjuha shqipe po aq sa edhe maqedonasja, kanë vazhduar sot edhe në seancën e kuvendit.

Sot u përplasën për këtë çështje deputeti Skender Rexhepi dhe Kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan Zhurnal.mk.

Deputeti Skender Rexhepi në seancën e kuvendit tha se sipas kushtetutës së vendit gjuhë zyrtare janë maqedonishtja dhe gjuha shqipe.

Por kështu nuk mendon Mickoski, i cili tha se sipas kushtetutës gjuhë zyrtare është vetëm gjuha maqedonase, e gjuha shqipe mund të përdoret.

“Akush nuk ka gjë kundër që ju të përdorni gjuhën shqipe. Mund që të flisni edhe në gjuhën angleze, gjermane apo franceze, nuk e di a ka përkthim për këto këtu… nuk kam unë asgjë, as dikush këtu në sallë të ketë gjë kundër… Por duhet ta dini se gjuhë zyrtare në këtë shtet është maqedonishtja dhe shkrimi cirilik, edhe në përdorim ndërkombëtar, kështu thotë kushttuta, nëse e lexojmë drejt kushtetutën,“ tha Mickoski.

Skender Rexhepi e mori përsëri fjalën dhe përsëriti interpretimin e tij të kushtetutës për gjuhët.

“Sipas kushtettutës së Republikës së Maqedonisë gjuhë kushtetuese është gjuha maqedonase e poashtu gjuhë kushtetuese është dhe gjuha shqipe  e që janë të pranuar edhe nga parlamenti, nuk kemi të bëjmë këtu as me gjermanihst…,” tha Skender Rexhepi.

Deklaratat e sotme të Mickoskit bien ndesh me qëndrimet e disa prej përfaqësuesëve të partive politike shqiptare.

Mickoski në deklaratën e tij nuk tha se gjuhë zyrtare me kushtetutë është edhe gjuha shqipe, por i tha Skender Rexhepit se ajo mund të përdoret, siç ëdhe përdoret lirshëm në kuvend.

Deklarata e Mickoskit bie ndesh edhe me deklaratën e kësaj jave të anëtarit shqiptar të gjykatës kushtetuese Osman Kadriut, i cili tha sikur edhe Skender Rexhepi e shumë politikanë të tjerë shqiptarë të vendit.

Dje, Nën-Kryetari i Lëvizjes Besa nga koalicioni VLEN dhe Kryetar i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, nuk u pajtua qëndrimin e Kadriut se gjuha shqipe me Kushtetutë është gjuhë zyrtare.

Sejdiu e fajësoi BDI-në, sepse sipas tij gjuhën shqipe kjo parti e ka lënë të reduktuar në kushtetutë.

“BDI-ja e la gjuhën shqipe jashtë Kushtetutës.Me keqardhje konstatojmë se deklarimet e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, janë të motivuara politikisht dhe të shkëputura nga realiteti. Fakti është i qartë: edhe pas mbi dy dekadash në pushtet, BDI-ja nuk arriti ta vendosë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Kushtetutë. Statusi i saj vazhdon të mbetet i reduktuar në formulimin e papranueshëm “gjuha që e flasin të paktën 20% e popullsisë”, një kompromis i dëmshëm që ne e kundërshtojmë dhe po punojmë ta ndryshojmë,” tha Sejdiu përmes një teksti në Facebook, transmeton Zhurnal.mk.

Deklarata e Sejdiut në të njëjtën kohë përputhet me deklaratën e sotme të Mickoskit, i cili nuk e përfshiu gjuhën shqipe si gjuhë kushtetuese zyrtare kur u thirrë në interpretim të tij të kushtetutës së vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër