Gjakovë 20 maj, Zhurnal.mk – ,Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë sot në ceremoninë e shënimit të përfundimit me sukses të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës.
Ky projekt, me vlerë totale prej 9.15 milionë euro, është financuar përmes një donacioni nga Komisioni Evropian dhe administruar nga Banka Botërore, ndërsa është udhëhequr dhe menaxhuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Përmes këtij projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt dhe bujqit e komunave të Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit.
Aktualisht, sistemi i ujitjes mbulon rreth 5,000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa me përfundimin e projektit janë shtuar edhe 6,000 hektarë të tjerë, duke e çuar sipërfaqen totale të përfshirë në rreth 11,000 hektarë që do të përfitojnë nga furnizimi më i sigurt dhe më efikas me ujë për ujitje.
