Tetovë, 28 Prill, Zhurnal.mk – Drejtori i Spitalit të Tetovës Erzen Elezi dhe Ministri i Ambientit Muhamet Hoxha sot kanë paralajmëruar ndërrimin e lëndës djegëse fosile për sistemin e ngrohjes në këtë spital nga nafta dhe kalimin në gaz natyror.
Elezi tha përmes një komunikate se me Hoxhën “u shqyrtua mundësia e kalimit nga sistemi ekzistues i ngrohjes me naftë në një sistem më bashkëkohor dhe më miqësor ndaj mjedisit, bazuar në përdorimin e gazit natyror.”
“Ky transformim përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të reduktimit të ndotjes së ajrit, përmes uljes së emetimeve të gazeve të dëmshme që rezultojnë nga përdorimi i naftës, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Tetovë,” tha ai përmes Facebook.
Sipas komunikatës nga zyra e tij, Elezi theksoi “nevojën urgjente për realizimin e këtij investimi, duke vënë në pah se sistemi aktual i ngrohjes me naftë është i amortizuar, ekonomikisht më i kushtueshëm dhe me ndikim të konsiderueshëm negativ në mjedis.”
Hoxha, tha përmes një komunikata pas takimit, se ky projekt synohet që të realizohet në shtatë objekte të spitalit. Ai tha se projekti në fjalë realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, paralelisht me një rindërtim më të gjerë të klinikës.
“Mjetet janë siguruar përmes programit IPA 3 për ajër të pastër, me zbatim të planifikuar gjatë viteve 2026–2027. Kjo është pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes në të gjitha objektet publike në të gjithë vendin. Duke pasur parasysh madhësinë e klinikës, efekti në uljen e ndotjes së ajrit në Tetovë do të jetë i konsiderueshëm. Ajri i pastër fillon me vendime të përgjegjshme, dhe shteti duhet të udhëheqë me shembull,” tha Hoxha përmes Facebook./ Zhurnal.mk
